Integrimi i Shqipërisë në BE, Rama në forumin e Bledit: Duhet të kryejmë reforma të vështira

Nga Fjorela Beleshi
2 Shtator 2024, 18:39 | Politikë

Shqipëria duhet të kryejë një sërë reformash të vështira për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, që ka vendosur një fond prej 6 miliardë eurosh në ndihmë të vendeve të Ballkanit Perëndimor që duan të bëhen të bëhen pjesë e Unionit.

Kryeministri Rama në Forumin e Bledit në Slloveni u shpreh që Tirana po punon jo vetëm për të marrë ndihmën monetare nga Brukseli por në të njëjtën kohë po kryen edhe detyrat e kërkuara për t’u bërë pjesë e familjes europiane.

“Plani i rritjes tashmë është vënë në rrugën duhur dhe jemi shpresëplotë që më shumë gjëra do të ndodhin. Ndërkohë që ne duhet të bëjmë një punën neurotike për t’u konsideruar të gatshëm për të hyrë në BE që të marrim më shumë instrumente dhe të hyjmë në hapësira të ndryshme të BE që më herët pa planin e rritjes ishte e palejueshme për ne”, tha Rama, raporton A2 CNN. 

Kryeministri shqiptar nuk e fshehu shqetësimin e dezinformimit nëpërmjet rrjeteve sociale nga Rusia dhe Irani teksa nënvizon se Perëndimi nuk po e frenon një fenomen të tillë. “Kur ne shohim se si  Rusia po interferon kudo, nëpërmjet mjeteve që ne i kemi lëshuar falas dhe pa kontroll, duke shkatërruar të ardhmen e fëmijëve tanë, sesnin e komunitetit, komunikimi dhe vetë demokracisë. Po flas për rrjete sociale. Nuk e kuptoj më se çfarë duhet të ndodhë më shumë që të kuptojmë që rrjetet sociale në këtë mënyrë që ne po e trajtojmë dhe po i përqasemi janë asetet më të mëdha të Rusisë dhe Iranit”, tha Rama.

Kur të rinjtë i kërkuan një mesazh, Rama iu kthye të shkuarës së tij. Pranoi se këshillat e më të rriturve nuk i ka marrë ndonjëherë për kapital, por nuk qëndroi dot pa dhënë sugjerime. “Kur isha i ri unë urreja kur të tjerët na jepnin mesazhe për jetën. Vendimet më të mira i kam marrë kur nuk kam dëgjuar mesazhet e të tjerëve. Madje nuk do të isha këtu nëse do të dëgjoja këshillat e më të vjetërve. Të rinjtë sot besojnë më pak të politika dhe bëjnë një gabim të madh se nuk mund të shpëtoni nga politika. Ka dy rrugë: Ose qëndroni në errësirë  dhe ngrini dorën për të kërkuar këshilla nga politikanët, ose ngriheni dhe merreni skenën për t’u përfshirë në politikë”, tha Rama.

Pjesëmarrja në forumin e Bledit bëri që kryeministri Rama të mungonte në seancën e parë plenare për këtë sesion të ri politik. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos