Nuk mund të ketë zgjidhje pa zgjedhje të lira dhe të ndershme. Me këtë slogan, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike synon t’i imponohet mazhorancës socialiste për të vijuar punën për reformën zgjedhore në grupin e dialogut. Gazment Bardhi pas mbledhjes me deputetët pohoi se opozita i qëndron kërkesës së saj për rikthimin e koalicioneve parazgjedhore.
“Ajo që ka ndodhur në Korrik ka qenë një vendosmërie grupit parlamentar për të respektuar parimin kryetar, që është respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Kuvendi, ka një grup dialogu i cili është funksional që duhet të vijojë dialogun për të përmbyllur në kohë reformën kuptimplotë zgjedhore”, deklaroi Bardhi.
Sipas Bardhit deputetët do të në punën e tyre në Kuvend, përveç kërkesave për interpelanca dhe komisione hetimore do të kërkojnë nxjerrjen nga sirtarët të projektligjeve të propozuara nga opozita dhe që nuk janë shqyrtuar.
“Kemi përcaktuar edhe tre çështjet tematike të interesit qytetar që duhet të fokusohet puna jonë, që ka të bëjë me minimumin jetik, projektligjin e pensioneve, si kundër kemi përcaktuar edhe për çështje të tjera me projektligje që qëndrojnë të fjetura në Kuvend”, theksoi kreu i grupit PD.
Në këtë mbledhje të parë të grupit për këtë sesion parlamentar, mori pjesë dhe deputetja Jorida Tabaku, e cila prej 3 vitesh në luftën e brendshme kishte mbajtur një qëndrim neutral. Tabaku nuk preferoi të fliste gjatë për mediat, për rikthimin e saj në selinë blu dhe në mbledhjet e grupit parlamentar.
“Kam qenë dhe jam pjesë e PD, rëndësi ka fitorja jo prania ime këtu”.
(A2 Televizion)