Integrimi në BE, Krasniqi: Problemi kryesor të bindim zyrtarët që të mos shkelin ligjin

Nga A2 CNN
22 Korrik 2026, 21:15 | Politikë

Sfida më e madhe e Shqipërisë në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Europian nuk është bindja e qytetarëve për të respektuar ligjin, por garantimi që vetë zyrtarët të mos e shkelin atë. Kështu u shpreh politologu Afrim Krasniqi në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN, sipas të cilit kritikat kryesore që i bëhen vendit tonë nga ndërkombëtarët janë për zyrtarët tanë janë të korruptuar që refuzojnë të përballen me drejtësinë.

“Problemi kryesor që ne do kemi nuk do jetë për të bindur qytetarët që të respektojnë ligjin. Problemi kryesor është t'i bindim zyrtarët që të mos abuzojnë me ligjin dhe kushtetutën që kemi miratuar ta respektojnë. Sepse kritika kryesore që i bëhet Shqipërisë në raport ndërkombëtar nuk është se qytetari shet në rrugë, por është që zyrtarët tanë janë të korruptuar dhe refuzojnë të përballen me drejtësinë dhe këtë nuk bëhet fjalë për një parti, bëhet fjalë për një elitë politike që merr ndonjë lloj pavarësisht mosha, pavarësisht sjella, pavarësisht vite në pushtet”, u shpreh Krasniqi në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.

Sipas tij vendet që kanë pasur sukses në procesin e integrimit europian, si Kroacia, Sllovenia dhe vendet baltike, kanë ndërtuar institucione të forta, kanë garantuar ndarjen e pushteteve, kanë zgjidhur çështjen e pronësisë dhe kanë ndjekur politika konsensuale, përkundër Shqipërisë, e cila vijon të ketë probleme serioze në këto drejtime, veçanërisht me çështjen e pronësisë.

“Ne jemi i vetmi vend në Europë që ende nuk e kemi zgjidhur çështjen e pronësisë. Ajo lidhet me investimet, me raportin e qytetarit me shtetin, me emigracionin dhe me të ardhmen e vendit”, tha ai.

Krasniqi vlerësoi se ndarja e pushteteve mbetet një tjetër problem madhor, duke argumentuar se institucionet nuk kanë arritur të jenë realisht të pavarura nga politika.

Ai kritikoi edhe mënyrën se si funksionon administrata publike, duke theksuar se me çdo ndryshim ministri ndryshon i gjithë stafi, duke humbur memoria institucionale dhe vazhdimësia e politikave publike.

“Ne mendojmë se shtetin e bën titullari, por në fakt shtetin e bëjnë institucionet dhe memoria e tyre”, u shpreh ai.

Sipas Krasniqit, politika shqiptare vazhdon të funksionojë me logjikën e "vitit zero", ku çdo qeveri nis gjithçka nga e para dhe rrëzon atë që ka ndërtuar paraardhësi. Ai shtoi se edhe prioritetet e Parlamentit nuk fokusohet te reformat dhe integrimi, por te nisma që edhe vetë ligjvënësit nuk i kuptojnë.

“Problemi kryesor i Shqipërisë është sa na përfaqëson ky parlament dhe a mundet ky parlament të rikthehet një organ që gjeneron ide për vendin. A ka debat në këtë vend? Në vitin ‘97 parlamenti i vitit ‘96 ishte parlament që doli nga zgjedhjet e kontestuara, por 17 deputetë kundërshtuan në mënyrë publike liderin politik të kohës dhe patën një strategji, së cilës koha i dha drejtë. Këto gjëra nuk funksionojnë kështu dhe propoz njeri që e bën këtë gjë. Si është e mundur që njerëzit marrin nisma ligjore se s'i kuptojnë, as nuk i kanë të fushës së tyre dhe i sjellin në parlament dhe refuzohen nga Gjykata Kushtetuese dhe vazhdon gjithçka normale dhe si është e mundur që askush nuk kupton që një akt para se të miratohet duhet të lexohet, duhet të konsultohet, duhet parë kush janë anët pozitive dhe kush fshihet pas saj. Dhe fakti që ne kemi degdisur politikën deri në këtë lloj situate, mendoj që ky është lajm i keq për Shqipërinë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos