Rindërtimi i Ukrainës, nuk po ndihmon vetëm Kievin por edhe vetë Europën. Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në konferencën që po mbahet në Poloni ripërsëriti edhe njëherë se ky bashkim për të ndihmuar Ukrainën nga pasoja e luftës me Rusinë zgjoi kontinentin.
“Ukraina po rindërton guximin e Europës. Europa duhet të ndihmojë në rindërtimin e së ardhmes së Ukrainës. Nga ana tjetër, ne e shohim rindërtimin e Ukrainës dhe integrimin europian të Ballkanit Perëndimor si procese që përforcojnë njëri-tjetrin. Të dyja kanë të bëjnë me plotësimin e Europës, forcimin e qëndrueshmërisë së saj dhe uljen e cenueshmërive strategjike”, tha Rama.
Në Tiranë po përballet prej afro një muaji me kërkesën për dorëheqje. Nga Polonia kryeministri Rama tregoi se si rindërtimi i Ukrainës duhet të sigurojë funksionimin e saj si shtet të qëndrueshëm demokratik.
“Nuk bëhet fjalë vetëm për të riparuar atë që është shkatërruar, por për të ndërtuar një Ukrainë demokratike, europiane, moderne dhe të qëndrueshme, duke treguar se e gjithë Europa është e aftë ta bëjë këtë. Shqipëria është këtu me një bindje shumë të thjeshtë: Ukraina duhet ta sigurojëpaqen me të njëjtën vendosmëri me të cilën po mbron lirinë e saj”, theksoi kreu i qeverisë.
Gjatë kësaj vizite dy ditore në Poloni, Kryeministri Rama pritet të ketë një sërë takimesh dypalëshe me homologë, si dhe me Komisioneren për Zgjerimin, Marta Kos. Gjithashtu në agjendën e shefit të qeverisë shqiptare janë edhe kompanitë ndërkombëtare që lidhen me sektorin e energjisë dhe investimeve. (A2 Televizion)