Rama në Poloni: Rindërtimi i Ukrainës dhe integrimi i BP plotësojnë Europën

Nga Fjorela Beleshi
25 Qershor 2026, 12:41 | Politikë

Rindërtimi i Ukrainës nuk po ndihmon vetëm Kievin, por edhe vetë Europën. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në konferencën që po mbahet në Poloni, ripërsëriti edhe njëherë se bashkimi për të ndihmuar Ukrainën nga pasojat e luftës me Rusinë e ka zgjuar kontinentin.

“Ukraina po rindërton guximin e Europës. Europa duhet të ndihmojë në rindërtimin e së ardhmes së Ukrainës. Nga ana tjetër, ne e shohim rindërtimin e Ukrainës dhe integrimin europian të Ballkanit Perëndimor si procese që përforcojnë njëri-tjetrin. Të dyja kanë të bëjnë me plotësimin e Europës, forcimin e qëndrueshmërisë së saj dhe uljen e cenueshmërisë strategjike”, tha Rama, përcjell A2 CNN.

Në Tiranë, Kryeministri Rama po përballet prej afro një muaji me kërkesa për dorëheqje. Nga Polonia, ai tregoi se si rindërtimi i Ukrainës duhet të sigurojë funksionimin e saj si një shtet i qëndrueshëm demokratik.

“Nuk bëhet fjalë vetëm për të riparuar atë që është shkatërruar, por për të ndërtuar një Ukrainë demokratike, europiane, moderne dhe të qëndrueshme, duke treguar se e gjithë Europa është e aftë ta bëjë këtë. Shqipëria është këtu me një bindje shumë të thjeshtë: Ukraina duhet ta sigurojë paqen me të njëjtën vendosmëri me të cilën po mbron lirinë e saj”, tha Rama.

Gjatë kësaj vizite dyditore në Poloni, Kryeministri Rama pritet të ketë një sërë takimesh dypalëshe me homologë, si dhe me Komisioneren për Zgjerimin, Marta Kos. Gjithashtu, në axhendën e shefit të qeverisë shqiptare janë edhe takime me kompani ndërkombëtare që lidhen me sektorin e energjisë dhe investimeve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos