Komiteti i Politikës së Jashtme të Internacionales Socialiste u mblodh në Tiranë, ku kryeministri Rama ndau me pjesëmarrësit ethet e fushatës zgjedhore dhe synimet e mazhorancës për një mandat të katërt qeverisës.
Rama u ndal gjerësisht te reforma në drejtësi, si pjesë e punës së nisur vite me parë nga Shqipëria për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian.
“Është e dhimbshme që për herë të parë në historinë tonë të shtetit që në 1912, kur shpallëm pavarësinë, shohim njerëz të fuqishëm të lidhur me shtetin politik, qeveri a në opozitë, që japin llogari para prokurorëve të pavarur. Nuk mund t’jua fsheh që në pikëpamjen njerëzore nuk është gjëja më emirë të shohësh njerëz që i njeh për një kohë të gjatë që çohen përpara drejtësisë për t’u përgjigjur për gjëra të ndryshme. Dhe duke qenë se janë të pafajshëm, derisa të provohen fajtorë, këto janë procese që kërkojnë kohën e tyre. Ajo që është e re në Shqipëri, dhe mjaft revolucionare, është që kemi pastruar procesin e drejtësisë përmes një procesi verifikimi dhe kemi dorëzuar shpatën e ndëshkimit nga pushteti ekzekutiv te pushteti gjyqësor”.
Pavarësisht sfidës që sjell epoka e mediave sociale, politika mbetet mjeti më i fuqishëm për të përmirësuar jetën e komuniteteve, pohoi Rama. (A2 Televizion)