“Jemi katastrofë”, eksperti Laçi: Irani në gjendje lufte penetron sistemin tonë të të dhënave

Nga A2 CNN
10 Mars 2026, 21:10 | Politikë

I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Marlind Laçi, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare, foli për gjendjen alarmante të sistemit të sigurisë në Republikën e Shqipërisë dhe sesi hakerat iranianë kanë arritur të penetrojnë me lehtësi sistemet e të dhënave në institucionet shqiptare.

Irani, duke qenë në një gjendje emergjence, deri diku edhe kritike për shkak të bombardimeve amerikane në Teheran, Tebriz, Isfahan dhe në pjesë të tjera të Iranit, ia del që të penetrojë në sistemin tonë kibernetik dhe të shfaqë të dhëna sensitive nga Kuvendi i Shqipërisë. Por këto të dhëna nuk janë të vetmet.”

Ai gjithashtu u ndal specifikisht te grupi i hakerave Homeland Justice, të cilët kanë hakuar informacione shumë sensitive të Policisë së Shtetit.

“Homeland Justice ia dolën të penetrojnë sistemin e të dhënave tepër sensitive në Policinë e Shtetit.”

Eksperti i konsideron këto sulme si të paralajmëruara, duke shpjeguar historikun e marrëdhënieve Shqipëri–Iran dhe duke u ndalur sidomos te strehimi i opozitës iraniane në kampin e Manzës.

Janë sulme të paralajmëruara. Ky konflikt ka vijuar që nga viti 2013, kur ish-kryeministri Berisha firmosi marrëveshjen për ardhjen e një pjese të opozitës iraniane. Më pas vijoi me marrëveshjen e kryeministrit aktual Edi Rama për të marrë opozitën e plotë iraniane në Shqipëri dhe gjykoj se ishte një hap i nxituar nga të dy kryeministrat tanë.”

Në lidhje me nivelin aktual të mbrojtjes kibernetike, eksperti beson se qeveria shqiptare duhet të bëjë më shumë, duke i cilësuar deri tani si propagandë arritjet e pretenduara në këtë fushë.

“I takon qeverisë shqiptare që të bëjë më mirë, madje edhe më shumë, sepse faktikisht nuk është se ka bërë diçka të jashtëzakonshme, ashtu siç propagandohet nga eksponentë të qeverisë në lidhje me sigurinë kibernetike.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos