Gazetari Enver Robelli ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me hetimet ndaj ish-drejtores së SHISH, Vlora Hyseni, duke i cilësuar ato si një goditje të rëndë për imazhin dhe sigurinë e Shqipërisë.
I ftuar në emisionin “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2CNN, Robelli tha se zhvillimet e fundit konfirmojnë, sipas tij, kritikat e ngritura nga faktorë ndërkombëtarë për mënyrën se si funksionojnë institucionet në Shqipëri.
Sipas Robellit, me këtë lajm të tmerrshëm bie gjithë imazhi propagandistik i ndërtuar përgjatë viteve të fundit.
“Kjo çka ndodhi konfirmon akuzat edhe të shumë kritikëve, sidomos brenda BE-së që Shqipërinë për fat të keq e shohim vetëm si një Republikë Bananesh. Këtu nuk bëjnë punë ato kravatat shumëngjyrëshe, me ngjyra papagalli të kryeministrit, atletet e tij, bëjnë punë rezultatet. I gjithë imazhi propagandistik, i ndërtuar përgjatë këtyre viteve, bie me këtë lajm, që është i tmerrshëm.
Në njërën anë kemi një fasadë që Shqipëria po përparon në rrugën drejt BE-së, dhe në anën tjetër kemi këso përplasjesh, këso situatash, të cilat lëkundin sistemin e sigurisë së shtetit. S’kemi të bëjmë me një shkelje të ligjit, apo supozim që është shkelur ligji nga një ofiqar në Kukës apo Dibër, por kemi të bëjmë me një institucion që do të duhet të ishte një digë e pakapërcyeshme në mbrojtje të interesave të shtetit.
Kjo flet shumë për atë që e ka emëruar. Më duket shumë e çuditshme se si kjo s’ka asnjë konseguencë. S’ka konseguencë sepse masa kritike në Shqipëri s’e ka arritur ende nivelin e tillë që të mos durojë këtë sistem, por në çdo shtet serioz kjo do kishte konseguenca jashtëzakonisht të mëdha, edhe në nivele shumë të larta. Përtej anës komike, kjo është brutalisht e dëmshme për Shqipërinë”. (A2 Televizion)