Avokati Edmond Petraj u shpreh i shqetësuar mbi mënyrën se si SPAK ka vendosur masën e sigurisë “arrest shtëpie” për ish-drejtoreshën e SHISH Vlora Hyseni.
I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Petraj vë në dukje se rrallë ndodh në botë që të jepen masa sigurie për shefat e Inteligjencës në detyrë.
Sipas tij, informacionet dhe komunikimet që publikohen në media duhet të verifikohen dhe të filtrohen përpara se të përdoren si bazë për diskutime publike.
“Ne nuk mund të flasim me një material që kemi vetëm një njoftim, caktimin e një mase sigurie dhe kaq. Janë hedhur disa materiale, sot, komunikime, unë s’dua t’i besoj sepse nëse janë ato komunikime, i bie që kemi kualitet të dobët të përzgjedhjes së drejtuesve të institucioneve. E vetmja gjë që më shqetëson është që kemi një shef të inteligjencës në një masë sigurie në mungesë. Mund të gjendej një formë tjetër. Në rrallë vende në botë ndodh që për shefen e Inteligjencës jepet masë sigurie. Pse drejtoreshë ndërmarrje është ajo?! Se janë hedhur shumë ide që Ergys Agasi lëvizte me makina të SHIK-ut. Nga ana profesionale ne duhet t’i filtëruar. Janë hedhur disa skupe, që tha hajde zemra, hajde kështu, nuk funksionon kështu fare. Ti s’e ke vendimin e masës së sigurisë, nëse e ke nxirre dhe hajde ta komunikojmë. Struktura e posaçme e ka marrë këtë masë në kuadër të opinionit të brendshëm që ka”, tha avokati.
(A2 Televizion)