Deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, ka paralajmëruar publikimin e të dhënave të reja që, sipas tij, lidhen me aferën e inceneratorëve dhe destinacionin e parave.
I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Gjoni tha se në ditët në vijim pritet të publikohen të dhëna të regjistruara nga një producent austriak, për të cilin pretendon se ka informacion mbi lëvizjen e parave të inceneratorëve.
Gjoni përmendi gjithashtu një sërë çështjesh të tjera, duke deklaruar se ato tregojnë, sipas tij, për probleme të rënda në funksionimin e shtetit.
“Skandalet që po dalin dita-ditës, çështja e Arben Ahmetajt, Ballukut, çështja e përgjimeve të Ron Yeffet, çështja e Vlora Hysenit dhe çështja që do dalë shumë shpejt në lidhje me producentin austriak, i cili ka regjistruar dhe ka të gjitha të dhënat se ku kanë shkuar leket e inceneratorëve, te cilët ministra dhe zyrtarë të lartë dhe në cilat llogari ndodhen. Do dalin brenda dy tre ditëve. Ke edhe përgjime të tjera, çka tregon se shteti është shkërmoqur dhe është në duart e mafies”. (A2 Televizion)