Në një video reels të publikuar në rrjetet sociale, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur alarmin për pasojat ekonomike që po ndjekin menjëherë pas procesit zgjedhor.
Sipas saj, rënia e menjëhershme e euros pas zgjedhjeve është një fenomen që përsëritet dhe që nuk shpjegohet me asnjë arsye ekonomike reale.
Tabaku thekson se kjo rënie e paarsyeshme e euros po ndikon drejtpërdrejt tek tre shtylla të ekonomisë shqiptare: sektori fason, bujqësia dhe familjet që mbijetojnë nga të ardhurat e emigrantëve.
Sipas saj, nëse nuk merren masa urgjente, kjo situatë mund të kthehet në një bumerang social dhe ekonomik për vendin.
Deputetja demokrate paralajmëron se rënia e euros nuk lidhet me ndonjë zhvillim pozitiv në ekonomi, por me fenomenin e pastrimit të parave, që sipas saj, ka ndikuar në prurjen artificiale të valutës në treg.
“Ekonomia shqiptare ka nevojë për përgjigje konkrete, jo për manipulime me xhiron monetare para zgjedhjeve,” u shpreh Tabaku në mesazhin e saj.
Ajo kërkon një paketë mbështetëse për fasonerinë, politika konkrete për bujqësinë dhe masa reale për të ndihmuar familjet që jetojnë me remitanca.
Teksti i plotë:
Menjëherë pas përfundimit të procesit zgjedhor, vihet re një fenomen që përsëritet pas çdo palë zgjedhjesh në vend: rënia e menjëhershme e euros në treg. Kjo tregon për një sasi të madhe parash në euro që futen në qarkullim gjatë fushatës, për të cilat nuk ka asnjë justifikim ekonomik.
Kjo rënie nuk shoqërohet me rritje të ndonjë sektori specifik ekonomik, as me ndonjë investim të ri apo zhvillim që do të shpjegonte një prurje valutore. Në fakt, pasojat e kësaj situate po ndihen fort në disa sektorë kyç të ekonomisë.
Sektori fason po përjeton një krizë serioze. Në tre vitet e fundit, ai është pothuajse i pezulluar. Njësoj si bujqësia, që vuan mungesën e mbështetjes dhe të investimeve. Ndërkohë, familjet shqiptare që jetojnë me të ardhurat nga emigracioni po ndjejnë gjithnjë e më shumë efektet negative të zhvlerësimit të euros.
Në këtë situatë, kërkohet ndërhyrje e menjëhershme nga qeveria për të ndihmuar këta tre sektorë jetikë për ekonominë kombëtare. Në të kundërt, pasojat mund të jenë të parikuperueshme dhe të kthehen në një bumerang ekonomik dhe social.
Rënia e euros nuk buron nga ndonjë mekanizëm apo logjikë normale ekonomike, por lidhet drejtpërdrejt me fenomene si pastrimi i parave dhe mungesa e kontrollit mbi flukset monetare në fushata.
Prandaj, ekonomia shqiptare ka nevojë për përgjigje të qarta dhe masa konkrete. Familja shqiptare ka nevojë për politika mbështetëse, ndërsa biznesi fason për një paketë shpëtimi që të mund të mbijetojë këtë cikël krizash, që ka prekur rëndë sektorin vit pas viti, duke detyruar shumë ndërmarrje të pushojnë punonjësit. (A2 Televizion)