Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, ironizoi opozitën nga foltorja e Kuvendit, duke deklaruar se protesta qytetare “ua ka marrë sheshin” demokratëve dhe se ata po përpiqen t’i bashkohen një lëvizjeje që, sipas tij, i kundërshton edhe vetë.
“Ua kam thënë në konferencë të kryetarëve, ua kam thënë një javë më parë në këtë sallë, do ta them edhe sot. Mua më duket se ju po vuani nga sindroma e Stokholmit. Ju kanë marrë sheshin dhe meqenëse u morën sheshin doni që të bashkoni me ata që ju kanë marrë sheshin edhe pse ata ju anatemojnë udhëheqësin”, u shpreh Balla.
Ai tha se protesta nuk e ka dëmtuar mazhorancën, por Partinë Demokratike, duke shtuar se “çdo ditë po thyen kockat e mbetura” të opozitës. Sipas Ballës, protesta nuk do ta shpëtojë PD-në dhe nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot, demokratët do të kishin rezultatin më të dobët historik.
“I vetmi sekretar partie në krye të një partie politike sot në Shqipëri dhe njëkohësisht edhe varkëtari i varkës së diktatorit Enver Hoxha, i cili gëzohej kur Enveri i jepte dorën. Por shokë mes jush, shumë prej jush që gëzoni kur protestuesit thirrin Berisha në burg, sepse me të drejtë e shikoni këtë si të vetmin shpëtim nga Saliu. Ka këtu mes jush që doni të shpëtoni nga Saliu. Këtë e di unë dhe shkoni aty në protestë me shpresën që ne s’heqim dot Saliun. Po do zoti na heq protesta Saliun. Ndoshta ua heq protesta Saliun, por një gjë protesta ja arriti. Ju protesta ju mundi, ne protesta nuk na mund dot. Partinë Socialiste të Shqipërisë nuk e mund dot askush. E di si thoshte njëri tek porta tani kur po hynit ju, ne na shajnë me libër shtëpia, nuk kam asnjë problem. Ju thonin opozitë e shitur. Dini gjë pse ua thonë këtë fjalë? Dhe çdo ditë në atë protestë po thyen kockat e mbetura nga ajo që dikur quhej Partia Demokratike. Ju s'e keni kuptuar akoma”, tha Balla.
(A2 Televizion)