Në Kolegjin Zgjedhor po zhvillohet seanca ku shqyrtohet padia e kreut të partisë “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapajt ndaj Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, lidhur me mandatin e vetëm të fituar nga koalicioni “Nisma - Shqipëria Bëhet” në zgjedhjet e 11 majit.
Fillimisht, Lapaj kishte kërkuar që mandati t’i njihej atij, duke argumentuar se kishte marrë më shumë vota preferenciale nga qytetarët, por sot në seancë po shqyrtohet kërkesa që mandati ti mbesë kushërirës së tij, Kleana Xhuveli, ashtu siç kishte vendosur më parë Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi.
Kujtojmë se pas vendimit të Celibashit për t’i dhënë mandatin Kleana Xhuvelit, KAS e ndryshoi këtë vendim dhe ia kaloi mandatin Ana Dajkos, që ndodhej e para në listën e koalicionit. Pikërisht ky vendim i KAS është kundërshtuar në Kolegjin Zgjedhor nga përfaqësuesja ligjore e Lapajt.
“Ne kemi kërkuar shfuqizimin e vendimit të KAS dhe lënien në fuqi të vendimit të Kryekomisionerit për t’ia dhënë mandatin Kleana Xhuvelit”, deklaroi përfaqësuesja e Lapajt në seancë, duke e quajtur vendimin e KAS tendencioz dhe politik.
DEBATET:
Përfaqësuesja e Lapajt në Kolegjin Zgjedhor: Ne kemi kërkuar shfuqizimin e vendimit të KAS (dhënien e mandatit të Ana Dajkos) dhe lënien në fuqi të vendimit të Kryekomisionerit ( dhënien e mandatit të Kleana Xhuvelit).
Përfaqësuesja e Lapajt: Në vendim KAS, tendencioz dhe politik! KAS po thotë që KODI mbron kandidatët nga dorëheqjet, por nga ana tjetër i detyron që të qëndrojnë përtej dëshirës së tyre. Deri në momentin qe mandati nuk është dhënë, kandidati mund të heqë dorë nga mandati! Vendimin i KAS për t’i dhënë mandatin e deputetit Ana Dajkos është i gabuar! Në vendimin KAS, Ka keqinterpretuar kuotën ligjore dhe gjininë e nënpërfaqësuar. Arsyetimi KAS është diskriminues dhe antikushtetues, sepse nuk ka nënpërfaqësim pasi është vetëm një kandidat!
Përfaqësuesja e KQZ që mbron vendimin e KAS pyet përfaqësuesen e Lapajt: Deri kur mund të dorëhiqet një kandidat?
Përfaqësuesja e Lapajt: Kandidati mund të tërhiqet nga kandidimi deri sa të jenë publikuar tabelat nga KQZ!
Përfaqësuesja e KQZ: Në KAS është kërkuar tjetër gjë nga ajo që kërkohet sot. Në KAS është kërkuar që mandati t’i jepet Adriatik Lapajt! Sipas KAS Dorëheqjet nuk mund t’i shqyrtojë KQZ por Kuvendi! Deklaratat e dorëheqjes janë zë pavlefshme! Mandati duhet t’i kalojë Ana Dajkos. Nëse zonja nuk e do mandatin të mos bëjë betimin në Kuvend dhe vend i saj të plotësohet sipas radhës së listës! (A2 Televizion)