“Kam kërkuar ndjesë,” Salianji: Izolimin e selisë së PD më 8 janar e bëri Lulzim Basha

Nga A2 CNN
24 Janar 2024, 22:12 | Politikë

Më 8 janar të vitit 2022, grupimi i Sali Berishës u drejtua në selinë blu me synimin për ta marrë, ndërsa grupimi që njihet si PD-ja zyrtare, i drejtuar nga Lulzim Basha, ishte kujdesur që godina të ishte e blinduar, në dyer e dritare.

Kjo ka qenë përplasja më e fortë mes grupeve të krijuara në të djathtën shqiptare që nga krisja e parë, pas përjashtimit të Sali Berishës nga partia.  

Pikërisht 8 janarin e ka risjellë në vëmendje deputeti demokrat Ervin Salianji në studion e “Debatit” mbrëmjen e së mërkurës në A2 CNN.

“Nuk besoj se ka demokrat që është krenar. Kam kërkuar ndjesë edhe pse nuk kam pasur rol në atë përplasje,” u shpreh Salianji.

Ai madje shpjegoi se, izolimi i godinës u bë nga vetë Lulzim Basha, pa i vënë në dijeni mbështetësit e tij që ndodheshin në seli.

“...Dhe, ka prodhuar atë përplasje që besoj që të gjithë nuk ndihen krenarë. E kam thënë që ditën e dytë, që nuk kam pasur asnjë dijeni. Që partitë nuk duhet të izolohen, që legjitimitetin nuk ta jep godina.”

Për deputetin demokrat, zgjidhja do të ishte një bashkim jo mekanik, fiktiv, por një bashkim i ngjyrimeve që, siç u shpreh ai, e bëjnë partinë më të madhe dhe që sigurojnë edhe një elektorat më të gjerë.

Ndërkohë, kur kanë kaluar vite që nga ndarja e demokratëve ata vijojnë të mos e gjejnë gjuhën e bashkimit. Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të mbajtur të mërkurën në selinë blu, A2 CNN mësoi se kanë nisur debatet lidhur me qëndrimin që opozita do të mbajë në parlament. Nëse do të vijohet me atë që ata e kanë quajtur aksioni opozitar, apo do të ndiqet një rrugë tjetër. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos