Për herë të parë një kandidat është futur në garën politike për t'u zgjedhur deputet dhe për të ngritur zërin për shërbimin shëndetësor, mungesën e meritokracisë në administratën e vendit e deri tek çështja Çame. Tanush Çaushi është pjesë e koalicionit "Shqipëria bëhet". Në një intervistë për A2 CNN, ai tregon arsyet se përse vendosi të kandidonte.
“Duke parë situatën e rëndë shëndetësore, në fushën e shëndetësisë dhe të drejtave të pacientëve, vendosa ta çoj më tutje nismën që kisha marrë në shoqërinë civile dhe të ngre zërin në parlament. Slogani i parë është pro shëndetit. Të kemi spitale, qendra shëndetësore të reja, poliklinika të reja. Të kemi një sistem universal të trajtimit shëndetësor. Njerëzit që nuk kanë miq në shtet e nuk janë të lidhur me partitë, emigrojnë për këtë fakt. Ne do bëjmë një administratë profesionale dhe të ketë meritokracinë si bazë. Çështja tjetër është e komunitetit çam. Askush nuk flet për të, termi është zhdukur në librat e historisë. Kjo është e papranueshme se këta shtetas janë qytetarë shqiptarë dhe kanë të drejtën e fjalës, pronës dhe origjinës së tyre”. (A2 Televizion)