KAS rrëzon Celibashin, paketa e maleve dhe tatimi mbi bujqësinë mund të votohen në parlament

Nga Ervin Koçi
19 Shkurt 2025, 16:23 | Politikë

Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve pranë KQZ vendosi me shumicë votash rrëzimin e vendimi të Ilirjan Celibashit që i kërkonte Kuvendit ndalimin e shqyrtimit të projektligjeve "Për paketën e maleve" dhe "TVSH për sektorin e bujqësisë”. 

Pretendimi i komisionerit shtetëror të zgjedhjeve se dy nismat mund të sillnin impakt në fushatë u konsideruan si tejkalim kompetencash nga Kuvendi si palë ankimuese, të cilës i dha të drejte KAS.  

Për të kundërshtuar vendimin e Celibashit shkoi nismëtari Erion Braçe, i cili u shpreh se projektligji i propozuar prej tij nuk synon të favorizojë asnjë kategori të caktuar përpara zgjedhjeve.

Këto qëndrime duket se prekën ndërgjegjes e tre anëtarëve të KAS të propozuar nga Partia Socialiste, ku me votat e tyre i hapën dritën jeshile shqyrtimit të këtyre nismave në Kuvend edhe përpara zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. 

Vendimi i KAS nuk e demoralizoi Ilirjan Celibashin. Teksa po rrëzohej një akt, ai mori një tjetër, duke i kërkuar kuvendit të bllokojë nismën që synon lehtësimin e vuajtjes se dënimit të personave të burgosur apo paraburgosur, serish me argumentin se favorizon një shtresë të caktuar me të drejtë vote. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos