KAYO dhe trafiku i armëve, PS refuzon kërkesën e PD për komision hetimor: Nuk ka indicie

Nga Indrit Maraku
17 Shtator 2026, 14:58 | Politikë

Konferenca e kryetarëve rrëzoi kërkesën e demokratëve për të ngritur një komision hetimor parlamentare mbi veprimtarinë e kompanisë shtetërore KAYO pas akuzave të ish-zëvendëskryeministrit Ahmetaj për trafik armësh.

“U bë pesë muaj i nderuar kryetar që i drejtohemi me shkrim ministrit të Mbrojtjes dhe ministri refuzon të kthejë përgjigje. Ditën e sotme në një akt të turpshëm, në konferencën e kryetarëve, mazhoranca sërish ka vendosur të shkelë kushtetutën. I ka mohuar 41 deputetëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë kërkesën legjitime në zbatim të Kushtetutës për të hetuar veprimtarinë e KAYO-s”, tha Belind Këlliçi.

Pavarësisht gatishmërisë së PD për ta rishikuar objektin e hetimit, Taulant Balla në emër të socialistëve dha disa arsye për refuzimin e kërkesës.

“Kërkesa nuk plotëson kriteret përmbajtësore kushtetuese dhe ligjore për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar. Mungesa e individualizmit të një çështje të veçantë, objekti tepër i gjerë dhe i paqartë, mungesa e indicieve konkrete dhe të mjaftueshme për paligjshmëri si dhe rreziku i mbivendosjes me kompetencat e organeve të drejtësisë, nuk krijon bazën e nevojshme për ushtrimin e kontrollit hetimor parlamentar në formën e kërkuar”, tha Balla.

Për demokratët kjo qasje tregon vetë përfshirjen e kryeministrit në këtë çështje. “Ajo që keni bërë sot tregon në fakt përfshirjen të drejtpërdrejtë të kryeministrit të qeverisë me interesat përmes mikut të tij me Ron Yefet në interesat e trafikut ndërkombëtar të armëve”, tha Këlliçi.

“Kontrabandë e legjitimuar. Do bëjnë punët e pista të kujt? Të kryepisit. Në qoftë se qeveria porosit punë të pista, kryeministri është ai që porosit punë”, tha Berisha.

Kryeparlamentari pohoi sipas rregullores kërkesa opozitës kalojë për diskutim dhe votim seancës plenare brenda 15 ditësh. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos