
Kreu i grupit parlamentar socialist Tualant Balla ka refuzuar kërkesën e PD për shtyrjen e votimit të projekt-ligjit për pagat e magjistratëve, duke e konsideruar si “hipokrite” kërkesën e opozitës. Duke iu përgjigjur Gazment Bardhit, Balla i bëri thirrje Presidentit që fill pas votimit të projekt-ligjit ta dekretojë, në mënyrë që të zhbllokohen menjëherë pagat për prokurorët dhe gjyqtarët.
“GJK duhet të marrë shembull nga Këshilli ynë i Legjislacionit, pasi nëse GJK e ka marrë vendimin në shkurt, e ka zbardhur në fund të prillit, ndërkohë që Këshilli i Legjislacionit e bëri punën shumë shpejt dhe mirë për t’ia kaluar Kuvendit. Kuvendi ka kërkuar opinionin e qeverisë. Procedurialisht kërkesa juaj s’mund të miratohet sepse Këshilli i Legjislacionit është shprehur. Do të shprehet edhe seanca. Më vjen mirë të dëgjoj që PD del në mbrojtje të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ky është lajm tejet pozitiv, sepse tregon reflektim nga sharjet, kërcënimet që kemi dëgjuar shpesh. Sot jemi këtu për të votuar një pr.ligj. Vota jonë ndaj kërkesës së PD është kundër sepse kërkesa është hipokrite, na thatë jemi vonuar, tani na thoni meqë jemi vonuar duhet ta shtyjmë. E votojmë sot dhe i bëjmë thirrje Presidentit të hyjë në fuqi menjëherë dhe të zhbllokohen pagat”.
Kreu i grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi theksoi se nëse PS e voton projekt-ligjin rrezikon të shkelë Kushtetutën. Ai kërkoi kohë për diskutime me organet e drejtësisë dhe shoqatat e magjistratëve.
“Sot ky Kuvend ka një temë shumë të rëndësishme që është statusi i magjistratëve, një çështje e mbartur në 7 vite. Ka për këtë çështje tre vendime të GJK. Ky që marrim sot në shqyrtim është vendimi i tretë. Dy vendimet e tjera mazhoranca juaj ka refuzuar t’i zbatojë, ose i ka shkelur. Është fakt që procesi i konsultimit s’ka qenë efektiv. Gjatë kohës që diskutonim në komisionet parlamentare, ne na kanë ardhur opinionet e shoqatave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, dhe komisionet s’kanë pasur mundësinë t’i shqyrtojnë ato. Komisioni i Ligjeve ka miratuar një version krejt të ndryshëm nga ai që kishin propozuar në 30 korrik dy kolegë të mazhorancës, version që nuk është konsultuar me askënd, edhe anëtarëve të komisionit të ligjeve u është vënë në dispozicion duke ua ndryshuar tre herë. E gjitha kjo e vendos para përgjegjësisë që ta tërheqë këtë pr.ligj nga rendi i ditës, pasi rrezikoni të shkelni sërish Kushtetutën. Të marrim kohën e mjaftueshme për të diskutuar me organet e drejtësisë dhe shoqatat e magjistratëve”.
(A2 Televizion)