KE propozon mbylljen e 3 kapitujve, Këshilli i BE për A2CNN: Vendimet për Shqipërinë në presidencën irlandeze

Nga Fjorela Beleshi
3 Qershor 2026, 16:18 | Politikë


Pak ditë pas miratimit të raportit të IBAR për Shqipërinë nga ana e vendeve anëtare të BE-së, qeveria e Brukselit i propozon Këshillit që të nisë punën për mbylljen e kapitujve.

Këshilli i Bashkimit Europian konfirmoi për A2CNN se më 5 qershor do të nisin diskutimet e para për këtë fazë në mbledhjen e COELA-s, për mbylljen e 3 kapitujve.

Këshilli i BE për A2CNN: Këshilli ka marrë propozimin e Komisionit Europian për 3 kapituj: Kapitullin 30 për Marrëdhëniet me Jashtë, Kapitullin 25 për Shkencën dhe Kërkimin, si dhe Kapitullin 26 për Arsimin dhe Kulturën. Diskutimi i parë është planifikuar nga COELA më 5 qershor.

Sipas burimeve, qeveria shqiptare po shpreson që disa kapituj të mbyllen brenda 30 qershorit, kur përfundon presidenca qipriote. Por Këshilli thekson në sqarimin e tij për A2CNN se diskutimet ndërmjet vendeve anëtare deri në vendimin përfundimtar mund të marrin disa muaj.

Këshilli i BE për A2CNN: Miratimi i Dokumenteve të Pozicioneve të Përbashkëta të BE-së nga COREPER pritet të ndodhë në muajt në vijim. Zakonisht, arritja e dakordësisë së shteteve anëtare në COELA kërkon disa raunde diskutimesh. Prandaj, mund të thuhet me siguri se zhvillimet e ardhshme kryesore do të ndodhin gjatë presidencës së ardhshme irlandeze të Këshillit të BE-së.

A2CNN iu drejtua edhe Komisionit Europian me të njëjtat pyetje, por qeveria e Brukselit u tregua më e kursyer në detaje dhe më me shpresë për mbylljen e këtyre kapitujve për vendin tonë.

KE për A2CNN: Shpejtësia e përparimit në negociatat e anëtarësimit varet nga reformat e zbatuara dhe nga përmbushja e kushteve nga secili vend kandidat. Ndonëse nuk mund të spekulojmë mbi numrin e saktë të kapitujve që mund të mbyllen deri në muajin korrik, Komisioni është plotësisht i angazhuar për të mbështetur Shqipërinë që të mbyllë sa më shumë kapituj të jetë e mundur.

Qeveria shqiptare synon që brenda këtij viti të mbyllë 10 kapituj për të arritur objektivin e vitit 2027, të vendosur nga Tirana zyrtare, për të përmbyllur të gjashtë grupet e kapitujve të negociatave të anëtarësimit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos