Takimin e kryeministrit Edi Rama me deputetët e rinj të Partisë Socialiste dhe kandidatët në zgjedhjet e 11 Majit, Sali Berisha e krahason me takimet që zhvillonte diktatori Enver Hoxha me anëtarët e Partisë së Punës.
Nga selia blu, lideri i opozitës pohon se përmendja e SPAK nga Rama disa herë në fjalim është një kërcënim i hapur për të gjithë deputetët e mazhorancës, shkruan A2 CNN. “Edi Rama u tha shqiptarëve se kërbaçi i tij është SPAK-u. Lëvizni po deshët u tha atyre, ja ku e keni SPAK-un, që është në duart e mia. Duke e ditur që ata janë përfaqësues të krimit, ai SPAK-un nuk ua tregoi vetëm atyre, por edhe padronëve të tyre të vërtetë që i nxorën deputetë”, tha Berisha.
Raportin paraprak të OSBE-ODIHR për zgjedhjet e konsideron si pasqyrë të denoncimeve të opozitës për atë që e quan farsë elektorale, por akuzon kreun e qeverisë se përmes korrupsionit, po ndërhyn për të ndryshuar raportin final. “Shpreh bindjen dhe besimin tim se raporti i komunitetit ndërkombëtar, kundër të cilit Edi Rama po paguan shuma të jashtëzakonshme për ta ndryshuar, telefonata të pafundme, por nuk do t’ia arrijë”.
Pasi përsëriti qëndrimin se nuk do të largohet nga drejtimi i Partisë Demokratike, pasi siç pohon zgjedhjet nuk ishin të lira por një farsë, mbrojti edhe nderin e strategut të fushatës, amerikanit Chris LaCivita, duke mos i vënë faj për rezultatin e 11 majit. “Unë besoj se ai drejtoi fushatën më të suksesshme në histori dhe ai solli ekspertizën e tij, solli vlerësimet e tij. Udhëzimet sigurisht që janë marrë parasysh plotësisht. Por çfarë tregon kjo? Kjo tregon qartë se farsa elektorale nuk fitohet kurrë nga opozita”.
Edhe në këtë konferencë përsëriti kërkesën për qeveri teknike dhe përsëritje të zgjedhjeve, por pa Edi Ramën në krye të qeverisë. (A2 Televizion)