Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është shprehur se kryeministri shqiptar Edi Rama, është njësoj në sjelljet dhe veprimet e tij me mafiozin Toto Rina.
Komentet Berisha i bëri përmes një deklarate për mediat, ku komentoi takimin e Ramës dje me deputetët e rinj të zgjedhur, mes të cilëve ka edhe emra me shumë pikëpyetje, lidhur me mënyrën e arritjes së rezultateve rekord të numrit të votave.
Berisha tha se takimi i djeshëm i Ramës me këta deputetë të zgjedhur në 11 maj, ishte i ngjashëm me takimet që Toto Rina zhvillonte me bashkëpunëtorët e tij, shkruan A2 CNN.
Sipas Berishës, kryeministri i kërcënoi përmes SPAK-ut këta bashkëpunëtorë të rinj (që sipas tij janë të vendosur nga grupet kriminale), duke u treguar shqiptarëve sipas tij, se kërbaçi në duart e Ramës është vetë Prokuroria e Posaçme.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Dje pasdite, siç e panë shqiptarët, u zhvillua para syve të tyre, një takim në të gjithë përmasat e tij, tiparen dhe frymën, sikur Toto Rina takonte bashkëpunëtorët e tij.
Ky takim, në të cilin nga analiza e fytyrave, ju nuk do gjeni dot asnjë buzëqeshje, asnjë lëvizje koke, asnjë reagim, sikur të ishte një takim mortor, dhe i tillë ishte festa e farsës elektorale.
Ky takim me narkodeputetët e tij, me përfaqësuesit e bandave më të rrezikshme të Shqipërisë, rajonit dhe Europës, karteleve të drogës, kartelit Troplini, Arkend Ballën, Ani Dyrmishin, Drazhin, etj, Sara Milen dhe grupin e kartelit të Elbasanit, përfaqësuesit e Shytëve, Julianit të Pashakos, Renato Salihit dhe Arben Qimes, përkatësisht Klosi, tezaku apo jotezaku, kush i merr vesh ato, i Belindës, Klodian Jahja, Koreshi dhe përfaqësues të tjerë të Bajrëve, të Tukut, përkatësisht Shkodër dhe Lezhë, Tërmet Peqëve dhe shumë përfaqësuesve të tjerë të botës së krimit.
Në këtë takim, Edi Rama u tha shqiptarëve se kërbaçi i tij është Spaku. Lëvizët, po deshët, u tha atyre, ja ku e keni Spakun që është në duart e mia, duke e ditur se ata janë një seri përfaqësuesish të krimit.
Ai Spakun nuk ua tregoi vetëm atyre, por padronëve të tyre të vërtetë që i nxorën në lista.
Edhe Enver Hoxha një takim të tillë kërcënues vështirë se do ta arrinte.
Ai foli për Altinin, njëlloj si Enveri për Arianitin.
Pra, shqiptarët mësuan se farsa elektorale prodhoi një narkoparlament, i cili nisi ditën mbledhjen pa hyrë akoma në sallë, duke vishkulluar me Spakun si kamxhik të tij. (A2 Televizion)