Këshilltari i Partisë Demokratike, Dorian Teliti, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, foli për protestën e radhës kombëtare të PD-së.
“Çdo përfaqësues i Partisë Demokratike mund të flasë për objektiva të protestës. Për formën, mos prisni as nga unë dhe as nga dikush tjetër që paraprakisht t'ju thotë formën. Le t'ia lemë gazetarëve të cilët, me gjithë respektin që kam, e bëjnë pastaj si puna e mbledhjes së djeshme të PD-së, sikur çfarë ndodhi aty që s'ndodhi asgjë. Se çfarë do ndodhë, do shikohet atë ditë. Unë uroj dhe shpresoj, dhe dëshira ime edhe si anëtar i strukturave qendrore të PD-së, është që të jetë sa më e gjatë, sa më e vazhdueshme dhe persistente. Këtë do doja unë. Por, kjo a arrihet vetëm me strukturat e Partisë Demokratike? Jo. Duhet që të gjithë qytetarët ta ndajnë mendjen një herë e mirë. Unë jam për çdo formë, mjet demokratik të mosbindjes civile. Se kur neve shohim që për tre qindarka në Francë bëhet nami dhe na kujtojnë pastaj Europën… Europë është Franca, Parisi. Unë jam për çdo mjet demokratik që pranohet në vendet e tyre, nuk pranoj pastaj askënd përfaqësues të atyre vendeve të më tregojë mua që kur protestohet në Paris, në Berlin, në Londër, në Athinë qenka normale, kurse kur protestohet në Tiranë, thonë pse e bën ti reagimin”, tha Teliti.
Këshilltari demokrat shtoi se “në krye të çdo proteste, qoftë me 5000 apo 50 000 veta, të parët që duhet të japin shembullin janë ata që organizojnë protestën”.
“Çdo mjet demokratik duhet përdorur dhe këtu na u shqetësokan se hidhen ca fishekzjarre”, theksoi Teliti.
Sipas tij, “brenda kilometrit të fundit është vazhdimësi protestash”.
“Brenda këtij kilometri ka qindëshe. Dhe te këto qindëshet objektivi për ne është largimi i qeverisës aktuale dhe ngritja e qeverisë teknike. Kaq. Ky është objektivi. A është arritur deri deri më sot? Nuk është arritur dhe do vazhdojmë punën tonë për ta arritur”, theksoi më tej Teliti.
(A2 Televizion)