
Zhvillohet sot në Bruksel konferenca e 7-të ndërqeveritare Shqipëri–BE, ku pritet të hapet grupkapitulli i fundit i negociatave “Bujqësia dhe Kohezioni”. Delegacioni shqiptar do të kryesohet nga kryeministri Edi Rama. Sipas njoftimit zyrtar të BE-së kryetare e konferencës do të jetë Marie Bjerre, Ministre për Çështjet Evropiane, ndërsa në tryezë do të jetë edhe komisionerja Marta Kos.
Konferenca do të nisë në orën 8:00 dhe më pas rreth orës 9.20 do të ketë një konferencë për shtyp.
“Ky takim do të shërbejë për të hapur negociatat me Shqipërinë mbi Grupin 5 'Burimet, bujqësia dhe kohezioni', duke përfshirë Kapitullin 11 (bujqësia dhe zhvillimi rural), 12 (siguria ushqimore, veterinaria dhe fitosanitaria), 13 (peshkimi dhe akuakultura), 22 (politika rajonale dhe koordinimi i instrumenteve strukturore) dhe 33 (dispozitat financiare dhe buxhetore)”, thuhet në faqen zyrtare të BE-së.
Deri më tani Shqipëria ka hapur pesë nga gjashtë grupkapitujt negociues: Themeloret, Marrëdhëniet me Jashtë, Tregun e Brendshëm, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen gjithëpërfshirëse, si edhe Axhendën e Gjelbër.
BE ka shprehur optimizëm se vendi mund ta përmbyllë procesin e integrimit deri në vitin 2030, ndërsa kryeministri Rama e ka shpallur anëtarësimin si prioritet kryesor të mandatit të tij të katërt qeverisës.
Procesi negociues ka vijuar me ritme të shpejta
Që prej 19 korrikut 2022, kur Shqipëria u ul në konferencën e parë ndërqeveritare dhe çeli zyrtarisht negociatat procesi negociues ka vijuar me ritme të shpejta. Më 15 tetor 2024, nën presidencën hungareze, në Luksemburg u mbajt konferenca e dytë ndërqeveritare ku u hap grupkapitulli i parë, ai i Themeloreve, ndërsa më 17 dhjetor në të njëjtit vit nisën bisedimet për kapitullin e dytë, Marrëdhëniet me Jashtë.
Në prill dhe maj 2025 u hapën përkatësisht grupkapitulli i Tregut të Brendshëm dhe ai i Konkurrueshmërisë dhe Rritjes gjithëpërfshirëse, ndërsa më 15 shtator 2025 Shqipëria çeli bisedimet për grupkapitullin e pestë, Agjendën e Gjelbër.
Konferenca e sotme është e fundit në ciklin e hapjes së të gjashtë grupkapitujve dhe pritet të hapë rrugën për përmbylljen e procesit teknik deri në vitin 2027. Pas kësaj faze, vendi do të hyjë në procesin politik të integrimit, që kërkon miratimin e anëtarësimit nga parlamentet e të 27 shteteve të BE. (A2 Televizion)
