Kërkohet largimi i Edi Ramës, PD protestë të hënën në orën 18:00 para Kryeministrisë

Nga A2 CNN
16 Nëntor 2025, 13:53 | Politikë

Socialistët e përjashtuan Sali Berishën nga Parlamenti,  por kryetari i PD ka gjetur mënyrën për t’u dëgjuar në foltore, jo të Kuvendit, por poshtë zyrës së Edi Ramës.

Të hënën në orën 18:00 Partia Demokratike nis serinë e protestave para Kryeministrisë. Me sloganin “Për familjen, për ekonominë, për demokracinë”, opozitarët do të kërkojnë dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama.

Ky tubim ishte paralajmëruar prej kohës nga Sali Berisha, i cili e ka quajtur foltore të qytetarëve për të denoncuar padrejtësitë, që sipas tij opozitarëve nuk u lejohen që t’i artikulojnë në Kuvend.  

Mësohet se protesta do zhvillohet çdo të hënë dhe do të jetë e ngjashme me tubimet që u zhvilluan para Bashkisë së Tiranës.  

Protesta e së hënës pritet të zgjasë më pak se dy orë, ku deputetë dhe qytetarë do të jenë folësit në këtë tubim.  

Tubimi nuk pritet të jetë masiv, pasi të angazhuara janë vetëm strukturat e Tiranës. Sipas demokratëve pas këtij tubimi do të nisë edhe turi i lidershipit të PD në bazë dhe brenda pak javëve mund të ketë edhe një protestë kombëtare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos