Konferenca e fundvitit, Rama: Ndjehem më mirë se në asnjë vit të mëparshëm

Nga A2 CNN
30 Dhjetor 2023, 12:15 | Politikë

Konferenca e fundvitit, Rama: Ndjehem më mirë se në asnjë

Në konferencën e fundvitit, kryeministri Edi Rama u shpreh se në këtë konferencë ai ndjehet më mirë se në çdo konferencë të ngjashme të viteve të fundit. Ai theksoi se vitit 2023 ka qenë vitit më i mirë për Shqipërinë në çdo aspekt.

“Në këtë konferencë, mund të them me plot gojën se ndjehem më mirë se në asnjë vit të mëparshëm si rezultat i gjithë ecurisë së vitit që po mbyllim, i cili ka qenë vitit më i mirë për Shqipërinë në çdo aspekt, atë ekonomik, gjithmonë këtu duhet pasur parasysh paranteza në raport me vitet e shkuara dhe jo në raport me sa shumë ende duhet bërë në çdo drejtim, në radhë të parë në rritjen e mëtejshme të ekonomisë.

Kryeministri Rama u shpreh se rritja ekonomike këtë vit do të jetë rreth 4 përqind. “Viti më i mirë në aspektin e sigurisë, atë të shërbimeve publike, të investimeve publike dhe të investimeve të huaja. Viti më i mirë në aspektin në pozicionin ndërkombëtar të Shqipërisë. Faktikisht, ky vit do të mbyllet me një rritje ekonomike që e tejkalon ndjeshëm çdo parashikim të bërë. Ne besojmë se shifra përfundimtare do të jetë afër 4 përqindshit, 3,7-3,8. Të ardhurat kanë qenë më të lartat se asnjë vit më parë. Në 9 mujorin e parë, vetëm nga turizmi, Shqipëria ka përfituar 3,2 miliardë euro të hyra. Kjo është një shifër shumë e lartë dhe pa asnjë krahasim me vitet e mëparshme.

Paga mesatare në sektorin publik do të shkojë në 9 euro. Aeroporti i Tiranës është ngjitur në krye krah për krah me aeroportin e Beogradin, me numrin më të lartë të pasagjerëve në rajon. Ndërkohë, është aeroporti me rritje më të madhe të pasagjerëve në të gjithë klasifikimin për të gjithë Europën. Mbi gjysmë milioni udhëtarë kanë zbritur në portin e Sarandës. Kjo më duket shumë domethënëse për potencialin që ka. Ne i kemi hapur rrugën një investimi të ri për portin turistik të Sarandës. Jemi në procesin e vlerësimit të një transformimi edhe të portit ekzistues të Sarandës

Programi i mbështetjes financiare i nënave me 3 fëmijë ka ecur shumë mirë, po ashtu edhe programi i mbështetjes së të moshuarve mbi 65 vjeç për fishat e diabetit. Janë punësuar 391 mjekë të rinj dhe mbi 1 mijë infermierë. Janë instaluar 12 laboratorët e parë të inteligjencës artificiale të shkollave publike. Këtë vit është rritur ndjeshëm paga e personelit akademik dhe është rritur me 40 përqind investimi për arsimin e lartë.

Jemi shumë të lumtur me programin e sportit në shkolla. Kemi mbi 10 mijë fëmijë të përfshirë në këtë lëvizje sportive dhe jemi përgatitur me KOKSH-in për të zgjeruar aktivitetin sportiv në shkolla. Është rritur zinxhiri i skuadrave të moshave duke ulur dyshemenë deri tek fëmijët 6 dhe 8 vjeç. Ky është një burim i sigurt shëndeti, edukimi, por dhe i rritjes së cilësisë, por edhe të sporteve profesioniste kur e gjithë kjo bazë fëmijësh do të ngjitet në moshat e mësipërme. Kam marrë një përgëzim shumë të mirëpritur nga Komiteti Olimpik Botëror, Europian. Ajo që është qershia mbi tortë e këtij programi, Shqipëria do të mirëpresë vitin e ardhshëm festivalin e parë të sportit për Europën Juglindore. Në verën e ardhshme do të kemi një aktivitet të jashtëzakonshëm”, tha Rama.

“Do ta paguani si ‘frëngu pulën’ çdo metër katror shtesë”, Rama: Janë arkëtuar 3,5 mln euro nga shtesat pa leje

Kryeministri Rama foli edhe për ndërtimet pa leje. Ai u shpreh se deri tani janë arkëtuar 3,5 milionë euro nga procesi i ndëshkimit, ndërsa në 9 objekte pritet të arkëtohen në total 10,5 milionë euro.

Ai iu bëri thirrje të gjithë ndërtuesve që të bëjnë kujdes dhe të tregojnë disiplinë, pasi në të kundërt “do ta paguajnë shumë shtrenjtë çdo metër katror shtesë”.

“Pash ecurinë e procesit të konfiskimeve të pallateve të shtesave të paligjshme të pallateve, për të cilat u bë një zhurmë e shoqëruar edhe me shumë hamendësime dhe shumë shpifje. Ju them se ka filluar arkëtimi i parave në arkën e shtetit nga procesi i ndëshkimit të ndërtuesve që kanë kapërcyer kufijtë e lejeve të ndërtimit. Janë arkëtuar 3,5 milionë euro deri tani nga 5 objekte dhe janë 4 objekte të tjera që pritet të vazhdojnë pagesat.

Presim 10,5 milionë euro në arkën e shtetit nga 9 objektet e para. Subjektet po paguajnë si frëngu pulën për çdo pëllëmbë që kanë bërë pa leje. Do të vazhdohet me masat e tjera që parashikon ligji për konfiskimin. Fal këtij veprimi agresiv, ekstrem, të cilit i kishte ardhur koha, po shohim një disiplinim në ndërtim. Të gjithë do ta kenë të qartë se kush bën një metër katror shtesë do ta paguajë si frëngu pulën dhe do t’i dalë nga hundët”, tha Rama.

Edi Rama zgjedh njeriun e vitit

Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur njeriun e vitit 2023 në konferencën e fundvitit. Ai është shprehur se pa më të voglin dyshim, njeriu i vitit për të është trajneri i Kombëtares së futbollit, braziliani Sylvinho.

Ndërkohë, i pyetur për njërin më të keq, tha se nuk e njeh, nuk përmendi emra.

“Sa i përket njeriut të vitit, kjo nuk ka asnjë diskutim. Besoj me konsensus mbarë kombëtar. Njeriu i vitit është Sylvinho për mua. Nga ana tjetër, besoj që është fat edhe privilegj që të jesh në këtë detyrë dhe ta kesh parë dy herë kombëtaren të shkojë në Europian. Unë nuk e fus te sukseset apo arritjet e qeverisë sepse përndryshe do ta kisha thënë.

Ajo që ka bërë trajneri i ekipit tonë kombëtar me stafin e tij, ajo që ka bërë ekipi jonë kombëtar është diçka që merr konsensus të plotë si gjëja më e bukur që ka ndodhur këtë vit. Nuk besoj se ka diskutim për këtë. Njeriu më i keq për vitin?! Nuk e njoh”, tha Rama.

Ndiqe LIVE

Në përditësim.... (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos