Tjetër hetim ndaj Beqajt, Berisha: SPAK po bën gati amnistinë e tretë

Nga Indrit Maraku
29 Dhjetor 2023, 15:09 | Politikë

Lajmet për një hetim të ri nisur nga SPAK ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, si dhe kontrollet e Byrosë Kombëtare të Hetimit në disa depo farmaceutike, u pritën pa entuziazëm nga Sali Berisha. Kreu i Rithemelimit vuri buzën në gaz kur u pyet nëse ky ishte një sinjal se Edi Rama po lëshonte një tjetër nga bashkëpunëtorët e tij të afërt.

“Mos bëni shaka. Kjo që po bëhet është për të shkuar drejt amnistisë së tretë për Ilir Beqajn. Ne do protestojmë ndaj tyre se janë armë e diktaturës. Kjo që bëjnë këta është e njëjta gjë, identike me vjedhjen e parë, fillojnë, ndajnë, bëjnë, krijojnë përshtypjen sikur po kërkojnë paratë. Ne do protestojmë. Do jenë objekt. Është armë e diktaturës. Do protestohet me forcën më të madhe”, tha Berisha.

Akuzave politike të ngritura ndaj kreut të Prokurorisë së Posaçme, u qëndron ende. “Të akuzosh një njeri pa fakte është shumë e gabuar. Por, unë këtu kam qenë para jush dhe ka qenë gusht kur kam denoncuar takimet sekrete të Altin Dumanit me Edi Ramën. Takimi i fshehtë nuk ka kurrë prova. Por nuk u përgënjeshtrua. Nuk e përgënjeshtroi dot se do nxirrja edhe ndonjë provë tjetër të vogël”.

Copëzimi i dosjes së inceneratorëve, sipas Berishës, është shërbimi më i mirë politik që mund t’i bëhej qeverisë.

“Në flakët e vjedhjes së shekullit, Dumani është i përcëlluar! Nuk kam fakte se ai është i korruptuar me para, por korrupsioni politik është një formë po kaq e egër korrupsioni dhe ai dje faktikisht lexoi statutin e partisë së tij”.

Vendimin e Gjykatës së Posaçme që rrezikon ta vendosë në arrest shtëpie, pohoi se e priste pa emocion, por refuzoi krahasimin mes tij dhe Fatos Nanos. Ish-kreu i socialistëve kishte një dosje të kopsitur nga partia e tij, pa nevojën e ndërhyrjes së demokratëve, pohoi Berisha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos