Kongresi i PPE/ Berisha “çon” Ramën në Valencia: E ka kthyer Shqipërinë në narkodiktaturë, zgjedhjet janë farsë

Nga A2 CNN
29 Prill 2025, 16:08 | Politikë

Kongresi i PPE/ Berisha “çon” Ramën në Valencia: E

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka mbajtur një fjalim të ashpër në Kongresin e Partisë Popullore Europiane (PPE) në Valencia, ku ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka shndërruar Shqipërinë në një narkoshtet dhe ka vendosur një regjim diktatorial.

Berisha falënderoi drejtuesit e PPE, si dhe presidentët e IDU dhe CDI për mbështetjen ndaj Partisë Demokratike dhe kauzave të saj. Ai vlerësoi gjithashtu përkrahjen e miqve të PD nga CDU dhe Forza Italia.

Në fjalën e tij, Berisha deklaroi se “Shqipëria sot është shteti i parë dhe i vetëm narkoshtet në Europë, ku të gjitha pushtetet janë në duart e një njeriu të vetëm.” Sipas tij, kryeministri Rama ka krijuar një industri mafioze të blerjes së votës dhe ka kthyer zgjedhjet në një farsë.

Berisha akuzoi kryeministrin se kontrollon ekonominë, median dhe se ka bllokuar platforma si TikTok për të shtypur zërat kritikë. Ai shtoi se Rama ka arrestuar liderë të opozitës pa prova dhe u ka marrë mandatet drejtuesve të saj, duke përmendur rastin e Fredi Belerit.

Berisha gjithashtu nga foltorja nw kongresin e PPE tha se Rama ka korruptuar ish-zyrtarin e FBI-së, Charles McGonigal, për të vepruar kundër opozitës shqiptare dhe se dokumente nga vende partnere tregojnë se krimi dhe shteti janë bërë një.

Ka një këshilltar në zyrën e tij që koordinon me organizatat kriminale, nga kartelat e Sinaloas deri tek bandat lokale”, tha Berisha.

Duke iu referuar të dhënave të Eurostat, ai tha se mbi 1 milion shqiptarë kanë emigruar në dekadën e fundit, ndërsa vendi po përballet me nivelin më të ulët të lindshmërisë në botë dhe është kthyer në një eksportues të madh të krimit.

Në fund, Berisha u ndal te zgjedhjet e 11 majit, duke akuzuar Ramën se ka bllokuar debatet televizive, ka shpërndarë para për blerje votash dhe ka dhënë licenca për kultivim kanabisi në funksion të fushatës.

Në një diktaturë, e vetmja mundësi është të mos dorëzohesh, por të luftosh për ta përmbysur atë”, përfundoi ai, duke shprehur besimin se Partia Demokratike do të arrijë ta përmbysë këtë regjim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos