Konjufca sërish akuza ndërkombëtarëve, Spiropali: Kosova meriton të jetë pjesë e Procesit të Berlinit

Nga A2 CNN
11 Shtator 2024, 19:38 | Politikë


Kryetarët e Kuvendeve të Kosovës dhe Shqipërisë, Glauk Konjufca e Elisa Spiropali, mohuan se ka ngrirje në raportet mes dy vendeve. 

Sipas tyre, bashkëpunimi është shtuar me nënshkrimin dhe zbatimin e shumë marrëveshjeve ku përfitojnë qytetarët në të dy anët e kufirit.

“Nëse ju dëshironi që ndonjë një mospajtim eventual të kryeministrave apo të qeverive ta paraqisni si diçka që reflekton marrëdhëniet e dy shteteve, unë mendoj që kjo nuk qëndron fare”, tha Glauk Konjufca.

“Kosova është prioritet kombëtar i Shqipërisë. Për Shqipërinë dhe Kosovën, bashkëpunimi është një prioritet i pandashëm. Është një binom stabilizues dhe orientues për të nesërmen tonë por edhe për të gjithë rajonin”, u shpreh Spiropali.

Të dy krerët e institucioneve legjislative u pyetën edhe për mundësinë e përjashtimit të Kosovës nga Procesi i Berlinit, pasi Prishtina po refuzon të heq masën e sigurisë për mallrat serbe dhe për përpjekjet për hapjen e urës së Ibrit.

Konjufca përsëriti se ndërkombëtarët po veprojnë me standarde të dyfishta në raport me Kosovën.

“Negociatorët e mëhershëm e kanë bërë urën (e Ibrit) pjesë të negociatave, mirëpo palët janë pajtuar që ura të hapet. Tash kur Kosova dëshiron ta zbatojë këtë marrëveshje, nuk duhet të hapet ura, thonë faktorët ndërkombëtarë. Ndërsa, faktin që ne ende nuk po mund ta zbatojmë asociacionin e për këtë Kosova meriton të përjashtohet. Këto janë standarde të dyfishta”, deklaroi Konjufca, shkruan A2.

“Besojmë që Procesi i Berlinit duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe padiskutim Kosova duhet të ketë vendin e saj si e barabartë në këtë proces për të garantuar jo vetëm ato të drejta por edhe ato të mira që vijnë nga Procesi i Berlinit”, tha Spiropali.

Në vizitën e saj të parë në cilësinë e kryeparlamentares, Spiropali takoi edhe kryeministrin Albin Kurti, bëri nderime të memoriali “Heroinat” për nder të viktimave të dhunës seksuale si dhe gratë deputete.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos