
Komisionerja e Zgjerimit, Marta Kos, vlerësoi punën e bërë nga Shqipëria që solli hapjen e grupkapitullit të fundit.
"Sot është një ditë e veçantë jo vetëm për Shqipërinë që hap të gjithë kapitujt, por edhe për Bashkimin Europian. Ky sukses nuk do ishte i mundur pa angazhimin e Shqipërisë dhe mbështetjen e gjithë shteteve anëtare për të mbështetur Shqipërinë. Jemi të përkushtuar ta sjellim Shqipërinë në BE, suksesi është i Shqipërisë, rezultat i punës së autoriteve për zbatimin e reformave të rëndësishme”, tha Kos në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama dhe ministren e Jashtme daneze, Marie Bjerre, shkruan A2.
“Ky është rezultat i qytetarëve shqiptarë që kërkojnë ndryshim dhe i mbështesin këto ndryshime. Shqipëria është shembulli më i mirë i fuqisë transformuese të zgjerimit. Kur jepni rezultate, ecni përpara. Jeni frymëzim për Ballkanin Perëndimor. Çelja e të gjithë grupkapitujve është sukses, por mbyllja e tyre është çmimi real. Suksesi real është se sa shpejt miratoni dhe zbatoni legjislacionin", shtoi Kos.
(A2 Televizion)

