KQZ tregon 7 qendrat e votimit ku nuk do të aplikohet identifikimi elektronik i votuesve

Nga Ervin Koçi
10 Maj 2025, 19:17 | Politikë

KQZ tregon 7 qendrat e votimit ku nuk do të aplikohet identifikimi

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vijon shpërndarjen e bazës materiale që do të përdoret në zgjedhjet e 11 majit. Ky do të jetë procesi i dytë zgjedhor parlamentar ku identifikimi i votuesve do të bëhet elektronikisht, shkruan A2 CNN. Të dhënat nga KQZ bëjnë të ditur se jo në të gjitha QV do të mund të aplikohet teknologjia në identifikimin e votuesve. Konkretisht, në 7 QV nuk është bërë e mundur kontraktimi i operatorëve për mbarëvajtjen e pajisjes gjatë procesit të votimit.

Bëhet fjalë për QV:

1 QV në Njësinë Administrative Pult, bashkia Shkodër

4 QV në bashkinë Dropull

1 QV në bashkinë Libohovë

1 QV në bashkinë Konispol, Njësia Administrative Xarrë

Më 11 maj 2025, qytetarët shqiptarë do të votojnë për të zgjedhur 140 deputetët e rinj të Kuvendit të Shqipërisë. Këto janë zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare që nga rënia e regjimit komunist në vitin 1991. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), mbi 3.713.761 shtetas shqiptarë kanë të drejtë vote në këto zgjedhje. Për herë të parë, edhe qytetarët që jetojnë jashtë vendit kanë mundësinë të votojnë, pas regjistrimit në Platformën Elektronike për Regjistrimin e votuesve nga jashtë.

Në këto zgjedhje marrin pjesë 11 subjekte zgjedhore, përfshirë 8 parti politike dhe 3 koalicione. Ndër to janë Partia Socialiste e Shqipërisë, që kërkon mandatin e katërt, Partia Demokratike dhe koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, si dhe Nisma Shqipëria Bëhet, Koalicioni Euroatlantik, Lëvizja Bashkë, Partia Mundësia, e të tjera.

Procesi zgjedhor do të monitorohet nga misioni i OSBE/ODIHR. Kreu i misionit, Lamberto Zannier, do të vizitojë disa qendra votimi më 11 maj për të vëzhguar nga afër mbarëvajtjen e procesit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos