Në listat përfundimtare të vitit 2025 janë regjistruar 266.794 votues në qarkun e Korçës ndërkohë që në vitin 2021 kanë qënë të regjistruar 284.363 votues.
Kjo tregon se në zgjedhjet e vitit 2025 kemi 17.569 votues më pak të regjistruar, shkruan A2 CNN.
Burime të siguruara pranë kampeve kryesore politike të Qarkut të Korçës thanë se kjo rënie e numrit të votuesve në listën përfundimtare të zgjedhjeve të 11 Majit ka ardhur si rezultat i ç’regjistrimeve që kanë bërë zyrat e gjendjeve civile të votuesve, të cilët janë regjistruar për t'u bërë pjesë e këtij procesi në vendet Evropiane ku jetojnë e punojnë.
Ky numër, gjithnjë sipas burimeve të siguruara në zyrat e gjendjeve civile është më i ulët edhe për shkak të heqjes nga listat e votimeve të këtij viti të personave që nuk jetojnë dhe atyre që janë mbi 100 vjeç.
Në zgjedhjet e vitit 2021 Partia Socialiste ka fituar 6 mandate me 60.543 vota, PD 5 mandate me 50.479 vota ndërkohë që LSI (sot PL) ka marrë 8493 vota por nuk ka arritur të sigurojë një mandat, shkruan A2 CNN.
Në zgjedhjet e 11 Majit në qarkun e Korçës janë 10 mandate, pasi një mandat i ka kaluar kryeqytetit për shkak të rënies së numrit të popullsisë në juglindje. (A2 Televizion)