Kryebashkiaku i Stambollit letër nga burgu Veliajt: Pres me padurim të takohemi sërish

Nga A2 CNN
18 Nëntor 2025, 13:55 | Politikë

Kryebashkiaku i Stambollit letër nga burgu Veliajt: Pres me padurim të

Kryetari i Bashkisë së Stambollit, Ekrem İmamoğlu,i ka dërguar një letër nga burgu kryebashkiakut të Tiranës i cili gjithashtu ndodhet në qeli që prej shkurtit të këtij viti. Letrën e ka ndarë në rrjetet sociale vetë Veliaj, në të cilën Imamoglu shprehet se vlerëson vendimin e Gjykatës Kushtetuese që i riktheu mandatin. Sipas tij drejtësia, edhe kur vonohet, nuk mund të mohohet.

“Ky vendim përfaqëson shumë më tepër se një çast lehtësimi personal. Ai qëndron si një shenjë e rëndësishme besimi në qeverisjen demokratike, sundimin e ligjit dhe vullnetin sovran të popullit të Tiranës. Në një kohë kur drejtësia dhe integriteti institucional po vihen në provë në shumë pjesë të botës, ky vendim rinovon bindjen se drejtësia, edhe kur vonohet, nuk mund të mohohet”.

Duke vlerësuar Veliajn, Imamoglu thotë se qëndrimi i tij  përballë sfidave frymëzon ata që besojnë në demokraci dhe drejtësi, ndërsa mezi të takohen sërish si kolegë, miq dhe besimtarë të palëkundur të demokracisë.

Kryebashkiaku i Stambollit letër nga burgu Veliajt: Pres me padurim të
Letra e kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu

“Forca juaj e qetë, qartësia morale dhe përkushtimi juaj i palëkundur ndaj shërbimit publik gjatë gjithë kësaj periudhe të vështirë, kanë qenë thellësisht frymëzuese. Nën drejtimin tuaj në Tiranë dhe përkushtimit në Rrjetin e Qyteteve Ballkanike B40, keni treguar se demokracia nuk mbahet vetëm nga institucionet, por nga ata që e mbrojnë atë me guxim, integritet dhe bindje.

Qëndrueshmëria juaj përballë sfidave vazhdon t’i frymëzojë ata që besojnë në demokraci dhe drejtësi. Rruga përpara mund të sjellë ende vështirësi, megjithatë shembulli juaj u jep forcë shumëkujt që mbeten të përkushtuar ndaj vlerave demokratike. Pres me padurim të takohemi sërish në një të ardhme të afërt si kolegë, miq dhe besimtarë të palëkundur në premtimin e demokracisë”, thotë ndër të tjera në letër kryebashkiaku i Stambollit.

A2 CNN raporton se Imamoglu, një rival kyç i presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, gjendet në burg që nga marsi dhe po pret gjykimin për akuzat për korrupsion. Në korrik ai u dënua për një tjetër vepër, atë të fyerjes dhe kërcënimit ndaj prokurorit kryesor të Stambollit. Ndërkohë që 3 javë më parë një gjykatë turke ka lëshuar një tjetër fletarrestim zyrtar nën dyshimet për “spiunazh politik”. Ekrem Imamoglu i ka mohuar të gjitha akuzat ndaj tij. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos