Në konferencën për mediat ku komentoi arrestimin e Ilir Metës, i cili akuzohet nga SPAK për korrupsion dhe mosdeklarim të pasurisë, Monika Kryemadhi u pyet nga gazetarët edhe për marrëdhënien në çift mes tyre, që shkoi drejt divorcit, pas më shumë se 30 vitesh martesë.
Kryemadhi tha se nuk ia uron askujt një krisje të tillë raporti siç ndodhi midis saj dhe Ilir Metë, me të cilin ka sjellë në jetë tre fëmijë, shkruan A2.
“S’ja uroj asnjërit konfliktin familjar që kam unë, se nuk është konflikt familjar mes dy njerëzve që janë marrë me shkuesi, janë dashur me njëri tjetrin shumë, kemi bërë shumë për njëri tjetrin, kemi ecur për dore të dy bashkë 33 vjet dhe dëshira ime për të luftuar korrupsionin dhe inceneratorin e Tiranës mesa duket çoi në faturën për të paguar një faturë shumë të madhe të shkatërrimit të familjes sime”, u shpreh deputetja e PL.
Në vijim, Kryemadhi zbuloi se prej 7 muajsh nuk ka asnjë komunikim me ish-bashkëshortin. Madje ajo u shpreh se nuk do të shkojë për ta vizituar në burg, pasi është Meta ai që refuzon ta takojë, raporton A2.
“Prej 7 muaj zero, me përjashtim kur me ka ardhur padia për divorc, s’kam më komunikim me të. Për këtë çështje do punojmë të ndarë, për arsye të mbrojtjes se ai ka objektivat e veta, unë di të them masa e arrestit për metën është masë arresti që tenton për të zhvilluar më tej konfliktin familjar tonin. Duke pasur parasysh që për gjëra të cilat ata dyshojnë tek unë, duan t’ia vendosin Metës që s’kanë lidhje fare. Edhe sikur të dua unë ta vizitoj nuk pranon ai”, deklaroi Kryemadhi. (A2 Televizion)