Klosi: PS do të shprehet brenda afatit ligjor për kërkesën ndaj Ballukut

Nga A2 CNN
12 Shkurt 2026, 22:19 | Politikë


Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, deklaroi në emisionin “Off the Record” në A2 CNN se mazhoranca do të shprehet brenda afatit ligjor lidhur me kërkesën për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres së pezulluar, Belinda Balluku.

Sipas Klosit, Kushtetuta dhe Kodi i Procedurës parashikojnë një afat tre-mujor për shqyrtimin e një kërkese të tillë.

Ai theksoi se çështja ka hapur një debat të rëndësishëm kushtetues mbi kompetencat e organeve të drejtësisë ndaj funksioneve të tjera kushtetuese.

“Nga një diskutim për një mandate deputeti u fut në një diskutim shumë të rëndësishëm kushtetues: A mundet që organet e drejtësisë të pezullojnë nga detyra një organ tjetër kushtetues siç është organi i ministrit, zv.kryeministrit, apo Presidenti?

S’ka pasur asnjë rast kur janë përzier këto dy diskutime.

Ato që kërkoi grupi parlamentar i PS ishte që të kishim një diskutim të parë në Gjykatën Kushtetuese sa i përket pezullimit të mandatit të një organi kushtetues, ky pezullim ra, dhe ministri i Transportit dhe zv.kryeministri është i pezulluar tani nga detyra. Në këto kushte futemi te diskutimi i mandatit", tha Klosi në Off The Record me Andrea Dangllin duke shtuar se: 

Në kushtet që kemi vendimin e Gjykatës Kushtetuese, edhe pse ai vendim nuk është një vendim, brenda afatit tre mujor (mesi i marsit) që na jep Kushtetuta dhe Kodi Procedurial ne do të shprehemi për kërkesën e organeve të drejtësisë. 

Thanë pse një grup kolegësh të opozitës, apo grup kolegësh në media, analist apo gazetar, kanë problem orarin, ne s’kemi problem orarin, ne kemi problem zbatimin e ligjit”, tha Klosi në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos