Përplasja Armeni-Azerbajxhan, nga lufta e përgjakshme te paqja e imponuar

Nga Rosalba Bejdo
12 Shkurt 2026, 23:36 | Bota

Nagorno-Karabakh është një territor i vogël malor në Kaukazin Jugor, por me një histori të madhe gjaku, dhimbjeje dhe përplasjesh gjeopolitike. Për më shumë se tre dekada, Armenia dhe Azerbajxhani u përballën në luftëra të përgjakshme për këtë rajon, të njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, por të banuar kryesisht nga armenë etnikë.

Viti 2020 shënoi rikthimin brutal të luftës. Artileria, raketat dhe dronët përfshinë qytete, fshatra dhe civilë, duke e kthyer Karabakhn në një zonë shkatërrimi total. Në mëngjesin e 27 shtatorit 2020, palët akuzuan njëra-tjetrën për nisjen e ofensivës. Pamjet që pasuan treguan realitetin brutal të luftës: makina në flakë, ndërtesa të shkatërruara, tanke të djegura dhe familje që largoheshin mes bombardimeve.

Civilët, si në Karabakh ashtu edhe në qytete të Azerbajxhanit, u gjendën nën zjarr të kryqëzuar.

Bilanci i konfliktit të vitit 2020 ishte tronditës: mbi 5 mijë të vrarë, dhjetëra mijëra të plagosur dhe një traumë kolektive që mbetet ende e hapur.

Pamjet e burrave që nxjerrin të moshuarit nga shtëpitë e rrënuara në Ganja, ambulancat mes rrugëve të shkatërruara dhe gazetarët që kërkojnë strehë nën bombardime, u bënë simbol i kësaj lufte. Konflikti rrezikoi të përfshinte fuqitë e mëdha rajonale. Turqia u rreshtua hapur në krah të Azerbajxhanit, ndërsa Rusia – aleate tradicionale e Armenisë – u përpoq të ruante rolin e ndërmjetësit.

“Turqia do të qëndrojë krah Azerbajxhanit me gjithë zemër. Paqja do të vijë vetëm kur Armenia të tërhiqet nga tokat e pushtuara”, tha Erdogan.

“Është një tragjedi e madhe. Ka humbje të mëdha në të dyja anët. Ne bëjmë thirrje për armëpushim sa më shpejt”, u shpreh Putin, shkruan A2 CNN.

Në nëntor 2020, Azerbajxhani shpalli marrjen e Shushës, qytet strategjik mbi Stepanakertin.

Pamjet e ushtarëve azere që ngrinin flamurin u shndërruan në simbol të fitores, ndërsa në Baku qytetarët festonin në rrugë. Pak më vonë, më 9 nëntor, Armenia, Azerbajxhani dhe Rusia njoftuan një marrëveshje armëpushimi. Karabakhu humbi kontrollin mbi disa zona, ndërsa paqeruajtësit rusë u vendosën në terren. Por paqja e imponuar solli kaos politik në Armeni.

Në Jerevan shpërthyen protesta të dhunshme. Turmat hynë në ndërtesa qeveritare dhe kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Pashinyan, duke e akuzuar për kapitullim. Megjithatë, konflikti nuk përfundoi.

Korridori i Lachinit, e vetmja lidhje mes Armenisë dhe Karabakut,  u bllokua nga Azerbajxhani, duke shkaktuar akuza për krizë humanitare. Në shtator 2023, Azerbajxhani ndërmori një ofensivë të shpejtë 24-orëshe. Pozicionet armene u thyen, ndërsa Stepanakerti u përfshi nga shpërthimet.

“Forcat e Azerbajxhanit kanë nisur bombardimin e gjithë territorit të Karabakut dhe po përpiqen të marrin nën kontroll vendbanimet”, tha Nikol Pashinyan.

Rezultati ishte dramatik: rreth 100 mijë armenë etnikë u larguan nga Karabakhu, duke e braktisur përfundimisht rajonin. Institucionet e vetëshpallura u shpërbënë. Parlamenti i Karabakut u shemb nga makineritë e rënda. U arrestuan figura kyçe, mes tyre edhe biznesmeni miliarder Ruben Vardanyan, i cili doli para drejtësisë në Baku. Një kapitull i tërë historik u mbyll me forcë. Në gusht 2025, pas 35 vitesh konflikti, Armenia dhe Azerbajxhani nënshkruan një marrëveshje paqeje të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, në Shtëpinë e Bardhë.

“35 vjet luftë dhe tani janë miq. Do të jenë miq për një kohë shumë të gjatë”, tha Trump.

Marrëveshja hap rrugën për projekte të mëdha ekonomike dhe energjetike, përfshirë një korridor strategjik që lidh Azerbajxhanin me Turqinë, duke anashkaluar Rusinë dhe Iranin. Në një përpjekje për të forcuar mbështetjen ndaj marrëveshjes së paqes e për të çuar përpara korridorin strategjik të tranzitit Zëvendëspresidenti i SHBA-së JD Vance  po zhvillon një vizitë në rajonin e Kaukazit, ku qëndroi fillimisht në Armeni e më pas në Azerbajxhan.  I pari zëvendëspresident i SHBA-së në detyrë që viziton ndonjëherë Armeninë, e quajti udhëtimin "shumë produktiv" dhe tha se është optimist për marrëveshjen e paqes. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos