Të gjithë ata që kanë dëshmuar në komisionin hetimor për sistemin TIMS nuk janë më në funksionet e tyre. Kështu u shpreh në studion e Ditarit me Erion Dushin në A2 CNN, deputeti demokrat Ervin Salinaji, sipas të cilit kryeministri Rama i ka hequr të gjithë ministrat në mënyrë të pashpjegueshme, duke e akuzuar kreun e qeverisë si të përfshirë drejtpërdrejt në këtë çështje.
“Balla ka qenë në komision dhe e ka dhënë dëshminë e vet. Dhe sot ata që janë thirrur si dëshmitarë në komision nuk janë në funksione, as Balla, as Çuçi, as Muhamet Rrumbullaku, as Ardi Veliu. Rama nuk ua fali që të mos e fshihnin vjedhjen dhe u zbuluan. Të gjithë personat e përmendur janë përgjegjës para publikut dhe nuk janë më në funksionet e mëparshme. I ka hequr të gjithë ministrat që përballen me drejtësinë në mënyrë të pashpjegueshme. U bën lavde dhe i heq", citon A2 deputetin dmeokrat.
Të njëjtën gjë, sipas Salianjit, Rama bën edhe me bashkëpunëtorët duke u treguar që nuk ka asnjë kriter veç besnikërisë dhe keqpërdorimit që ai u bën zyrtarëve dhe bashkëpunëtorëve.
“Nuk ka asnjë element tjetër veç një klime terrori që ai i mban dhe që vetëm ngrenë dorën. Askush nuk ka fuqi veç kryeministrit. Përgjegjësia edhe për mbrojtjen e paligjshme që bëri, që tha nuk ka rrjedhje në të dhënat e TIMS, tregon interesin e tij të drejtpërdrejtë në këtë çështje”.
Nga studio e A2 Salianji theksoi gjithashtu se komisioni hetimor për Tims ia doli që të faktonte të gjitha pretendimet e opozitës dhe shkoi përtej pritshmërive. Sipas tij, edhe PS pranoi shkeljet e paligjshme në raportin e saj, ndërsa raporti i opozitës tha ai do të shkojë në SPAK.
“Për herë të parë në 33 vite në historinë e komisioneve hetimore, në asnjë rast një mazhorancë nuk ka pranuar shkelje, por ka mbrojtur qëndrimet e veta. Në raportin përfundimtar të paraqitur nga PS janë pranuar dhe evidentuar shkeljet e paligjshme në gjithë detyrimin që kanë institucionet publike për të mbrojtur të dhënat e Tims. Pjesa tjetër e raportit, që është pjesa jonë, do të shkojë në SPAK, që doli gjatë dëshmive të zyrtarëve të lartë dhe që e bllokoi PS për të mos bërë hetime më pas”. (A2 Televizion)