Kush gjurmon paratë e politikës? PS kundër KQZ për t’ia deleguar prokurorisë

Nga Ervin Koçi
16 Tetor 2024, 15:06 | Politikë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kërkon që auditimin e shpenzimeve të partive politike ta bëjë Prokuroria si organ më i specializuar. Gjatë një seancë dëgjimore në komisionin e posaçëm parlamentar kundër dezinformimit, Ilirjan Celibashi u shpreh se mekanizmat aktuale të legjislacionit zgjedhor, nuk mjaftojnë që ky institucion të kontrollojë shpenzimet e partive politike dhe gjurmimin e burimit të tyre, shkruan A2 CNN.

“KQZ nuk ka se çfarë të ndihmojë më shumë në këtë çështje. Natyra e këtyre financimeve është e tillë që e përkufizon këtë veprimtari të karakterit penal dhe do të duhet në gjykimin dhe vlerësimin tim, të angazhohen institucione të ndjekjes penale, pasi KQZ e ka absolutisht të pamundur për të hetuar raste të tilla”, tha Celibashi.

Por drejtësia duket se konsiderohet nga socialistët si më e paragjykuar nga politika, të paktën në raport me KQZ-në që kontrollohet nga politika.

“Sot korniza ligjore është kaq sa është dhe i jep atë fuqi KQZ, por patjetër që duhet bërë më shumë, dhe unë mendoj që duhet të mbetet te KQZ sepse ju e shihni që drejtësia është e paragjykuar. Institucioni i juaj i pranuar nga të gjitha palët mund të bëj shumë më tepër se sa kaq”, tha Braçe.

 Sfida e parë për shpenzimet e partive do të jetë fushata për votën e diasporës, ku Celiashi nuk nguroi ta thoshte se praktikisht është e pamundur. “Për të verifikuar se sa para shpenzon ti në një fushatë të zhvilluar jashtë shtetit, nuk di ta them, por duket e pamundur për sa parashikon ligji për partitë politike dhe Kodi Zgjedhor”, tha Celibashi.

Cungimi në kompetenca ligjore ishte shqetësim edhe i dy institucionet e tjera, AKEP dhe AMA, arsye për të cilën Braçe u shpreh se duhet të ndërhyhet në legjislacion për të luftuar desinformimin në platformat online. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos