Me vendosjen e vitit 2027 si afat për mbylljen e kapitujve të negociatave me qëllim integrimin në BE, zgjidhja e çështjeve të pronësisë mbetet ndër më kryesoret për qeverinë shqiptare. Nga ndarja e tokës sipas ligjit 7501, te ish-fermat dhe vendimet për kthimin e pronave, një pjesë e sipërfaqeve vijojnë të jenë me akte të marrjes së tokës në përdorim apo në pronësi, por pa përfunduar procesin e Hipotekimit.
Për t'i dhënë zgjidhje kësaj situate, qeveria ka propozuar ndryshime në ligj, ku përcaktohen edhe rastet kur kërkesa për kalimin e tokës në pronësi refuzohet. Në draft parashikohet që Kadastra të saktësojë sipërfaqet dhe të hartojë listën e përdoruesve faktikë të tokës. Lista më pas i paraqitet për miratim këshillit bashkiak.
Në rastet kur subjekti që kërkon pronësinë nuk paraqitet gjatë verifikimit në terren ose nuk bashkëpunon me administratën, ASHK-ja duhet të bëjë njoftimin publik brenda 10 ditëve. Megjithatë edhe pas kësaj i interesuari ka të drejtë të paraqitet dhe të vijojë procedurën por me afate konkrete.
Nëse kalojnë 30 ditë nga njoftimi publik dhe subjekti nuk ka plotësuar detyrimet procedurale, dosja pezullohet për dy muaj. “Nëse brenda 30 ditëve nga data e njoftimit publik, subjekti nuk përmbush detyrimet procedurale, ASHK vendos pezullimin e procedurës administrative për kalimin në pronësi, pa shpërblim, të tokës bujqësore për 60 ditë.”
Nëse gjatë kësaj periudhe i interesuari sërish nuk plotëson detyrimet, Kadastra refuzon kërkesën për kalimin në pronësi. “Nëse brenda 60 ditëve nga data e njoftimit publik të pezullimit subjekti nuk përmbush detyrimet procedurale, ASHK vendos refuzimin e kërkesës për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore.”
Dokumenti i publikuar për konsultim publik duhet të kalojë më parë për miratim në qeveri dhe më pas në Parlament. Zgjidhja e çështjeve të pronësisë mbetet një element i rëndësishëm në procesin e integrimit në Bashkimin Europian, por edhe për sigurinë juridike dhe nxitjen e investimeve. (A2 Televizion)