Gjykata e Posaçme u braktis nga avokatët, të cilët respektuan vendimin për bojkot të seancave, në shenjë kundërshtie të rregullores, që i pengon ata të mbajnë telefonin celular gjatë seancave gjyqësore. Mosparaqitja e avokatëve u bë shkak për dështimin e të gjitha gjyqeve të ditës. Ndërsa në Apel, ku nuk ndalohen celularët, gjyqet u zhvilluan normalisht.
Sipas vendimi të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, mbrojtësit do të bojkotojnë Gjykatën e Posaçme deri në pezullimin e rregullores. Ndërkohë puna nuk eci vaj as në Gjykatën e Tiranës, ku e mërkura shënoi ditën e dytë të një bojkoti të përkohshëm nga administrate gjyqësore.
Ne shenjë revolte për bllokimin e pagave të tyre, situatë e ardhur si pasojë e bllokimit të pagave të gjyqtarëve e prokurorëve, sekretaret gjyqësore, ato të shërbimeve për publikun dhe stafi ndihmës dolën nga zyrat, duke ndërprerë punën e rrjedhimisht edhe proceset gjyqësore.
Bojkoti i nisur nga Gjykata e Tiranës u shpërnda të mërkurën edhe në gjykatën administrative të Lushnjës, si edhe në gjykatën e Vlorës dhe të Fierit. Situata e pazakontë dhe e pandodhur ndonjëherë e bllokimit të pagave mblodhi të martën drejtuesit e prokurorive dhe të gjyqtarëve.
Këta të fundit e konsideruan ndalimin e pagave si ndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit. Për këtë, kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, njoftoi thirrjen e Mbledhjes së Përgjithshme të Gjyqtarëve, paraditen e së enjtes, ku gjyqtarët e të gjithë vendit, të të gjitha niveleve, do të përcaktojnë qëndrimin institucional të gjyqtarëve për zgjidhjen e situatës. (A2 Televizion)