A2CNN zbulon dokumentin! BE "sfidon" Shqipërinë, 41 ligje duhet të miratohen deri në dhjetor

Nga A2 CNN
9 Shtator 2026, 11:34 | Politikë

A2CNN disponon dokumentin me 41 ligje që Shqipëria duhet të miratojë deri në fund të këtij sesioni, që kanë të bëjnë me 14 kapituj të cilët do duhet që të plotësohen për integrimin.

Gazetarja Fjorela Beleshi u shpreh: “Përpos punës me dy projektligje të rëndësishme që nuk kanë të bëjnë me integrimin, që është Reforma Territoriale dhe ligji për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, Shqipëria ka si detyrim ndaj Bashkimit Europian, të paktën sipas burimeve të A2CNN, që disponon edhe listën e ligjeve, janë 41 ligje që duhet të miratohen deri në fund të këtij sesioni, që kanë të bëjnë me 14 kapituj të cilët do duhet që të plotësohen të gjitha. Janë ligje të reja dhe ndryshime ligjore në ligjet aktuale. Njëri ka të bëjë me financimin e partive politike, detyrim që politika shqiptare do ta kishte përfunduar që në sesionin e shkuar, por me dakordësinë e të dyja palave, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, është shtyrë për t'u realizuar deri në fund të këtij sesioni. Do të kemi ndryshimin në ligjin për mediat, një ligj i rëndësishëm ka të bëjë me Bankën e Shqipërisë, një ligj që do të hapë debate për shkak se në propozimin e parë që ka qenë në konsultimin publik, guvernatorit i jepet imunitet përsa i përket ndjekjes penale, nuk mund të arrestohet pa marrë edhe autorizim. Nga ana tjetër janë disa projektligje që kanë të bëjnë me sektorin e ekonomisë dhe të financave, ku një nga grupkapitujt që pritet të mbyllet deri në shkurt të 2027 ka të bëjë pikërisht me kontrollin financiar. Përveç miratimit të 41 ligjeve që duhet të kalohen në Kuvend, mazhoranca socialiste pretendon dhe ka si objektiv që deri në shkurt të 2027-ës të mbyllë edhe tre kapituj: në dhjetor kapitullin për marrëdhëniet me jashtë, gjithashtu në shkurt të 2027 dy kapituj të tjerë që kanë të bëjnë me kontrollin financiar dhe një kapitull tjetër që pritet të mbyllet sipas Partisë Socialiste, është pikërisht edhe përsa i përket politikave sociale”.

“Janë 41 projektligje që duhet të miratohen, ligje të reja dhe ndryshime të reja ligjore të cilat mund të kenë këndvështrime të ndryshme të dyja palët, por duhet parë në fund nëse do miratohen ashtu siç do sillen nga ana e mazhorancës socialiste apo do të ketë opozita pretendimet e saj. Opozita e ka thënë edhe në sesionin e shkuar që nuk do dalë kundër ligjeve për integrimin. Ato kanë kundërshtuar mazhorancën përsa i përket procedurave dhe përsa i përket mungesës së transparencës nga ana mazhorancës socialiste dhe të 41 projektligjet që A2CNN i disponon, ia ka kërkuar dhe Partia Demokratike Partisë Socialiste dhe qeverisë se cilat janë këto projektligje, për t'i patur më herët sesa ato të vijnë në Kuvend. Nga ana tjetër, kanë qenë kundër që projektligjet për integrimin të miratohen me procedurë të përshpejtuar sepse qytetarët nuk janë të informuar, ndërkohë që procesi i integrimit do të jetë pikërisht për qytetarët. Për këtë arsye, nuk do kemi një kundërshti për projektligjet të cilat duhet të bëhen në emër të Bashkimit Europian, por duhet të bëhen me standarte dhe me transparencë. Kjo është kërkesa e Partisë Demokratike. Një kërkesë që e ka thënë dhe Brukseli. Pavarësisht se kur janë miratuar nga ana e Partisë Socialiste, Brukseli ka heshtur edhe kur janë miratuar në procedurë të përshpejtuar apo edhe kur janë bërë në mungesë të transparencës”, shtoi gazetarja e A2CNN, Fjorela Beleshi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos