Ish-ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj ka komentuar në “Off the Record” nga Andrea Danglli, rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit, duke mos e fshehur zhgënjimin për humbjen e thellë të Partisë Demokratike.
Pikërisht si arsye për këtë disfatë, Demiraj vlerësoi listat, siç i quajti ai, jo perfekte të Partisë Demokratike.
“Pa diskutim, zgjedhjet nuk kanë qenë të lira dhe të ndershme. Problematikat kanë qenë pafund, për të cilat PD po punon çdo ditë për t’i identifikuar dhe për t’i raportuar jashtë vendit. Nga ana tjetër unë personalisht kam qenë gjatë gjithë kohësh në mbështetje të PD sepse PD është një aset kombëtar. Nga ana tjetër PD duhet të shohë veten që të reformohet. Nuk do të them fjalë të këqija për PD. PD duhet të reformohet. Mendoj se listat e PD nuk ishin lista perfekte”, deklaroi Demiraj në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN.
Ai u ndal në veçanti të tre drejtues politik të PD, Tomor Alizotin, Gazment Bardhin dhe Bujar Leskajn, të cilët kryesuan listat në qarqet Elbasan, Fier dhe Vlorë, aty ku demokratët humbën edhe nga një mandat në listat e sigurta.
Sipas tij këto tre figura duhen zëvendësuar, nëse marrim parasysh rezultatin katastrofik për qarqet që drejtuan.
“Kishte njerëz të cilët, në mënyrë të veçantë, njerëz delirantë, që donin të tregonin... kishin deklarata: ‘do hamë mish, do hamë kështu’. Dështimi spektakolar i drejtuesit të Elbasanit, i drejtuesit të Fierit dhe Vlorës, duhet të shërbejnë si mësime të nxjerra. Ku lidershipi i PDduhet të marrë masa, të zëvendësojë njerëz që objektiv kryesor kanë identifikimin si liderë të mëdhenj, në thonjëza, të këtyre individëve, por nga ana tjetër në terren kanë siguruar një rezultat skandaloz”, tha Demiraj në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN.
Demiraj po ashtu nënvizoi se PD duhet të reformohet për të ngjallur shpresë te shqiptarët që janë të lodhur nga qeverisja e majtë.
“Do të duhet që opozita të reformojë veten që të rrisë besimin te populli opozitar, tek të gjithë ne që dëshirojmë që Shqipëria të ketë një drejtim politik më të saktë, më modern dhe më të duhur për të rritur ekonominë dhe mirëqenien e popullit shqiptar”, u shpreh Demiraj në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN. (A2 Televizion)