Kuvendi Kombëtar, Berisha: Rilindi diktatura, mosbindja civile betimi ynë

Nga Indrit Maraku
2 Dhjetor 2023, 20:06 | Politikë

Dekadë e shkatërrimit, ishte përkufizimi që Sali Berisha i bëri qeverisjes së Edi Ramës, në nisje të fjalës së tij para Kuvendit Kombëtar të thirrur nga PD e Rithemelimit. 

“Kombi humbi shpresën dhe 1/3 e gjakut të tij. Shteti ligjor u zëvendësua me narkoshtetin dhe dominimin e vdekjeve mbi lindjet, për herë të parë në ekzistencën e këtij kombi. Kombi ynë është një komb në vdekje, gjë që nuk ndodhi as në komunizëm”, tha Berisha.

Epitetet ndaj Edi Ramës nuk i kurseu, duke e cilësuar herë demon e herë armikun më të madh shqipfolës, krahasuar edhe me Enver Hoxhën: “Në diktaturën staliniste kishim Sigurimin e Shtetit, sot kemi patronazhistët; në diktaturën e mëparshme kishim hetuesinë famëkeqe, sot kemi SKAP-in dhe gjykatësit e partisë, të cilët zbatojnë vetëm urdhrat e partisë. E vetmja gjë që rilindi në Shqipëri në këto 10 vite, ishte diktatura”.

Refuzimi i të drejtave të opoziës në Parlament, është, sipas Berishës, përpjekja e tretë e Ramës për të kapur shtetin. E para, shpjegoi ai, ishte në 2013, me deputetët e larguar më pas për shkak të dekriminalizimit; për ta vijuar me krijimin e një opozite false, refuzimi i së cilës, thotë Berisha, i kushtoi shpalljen “non grata”. 

Demokratëve u kërkoi të ngrihen në këmbë, si e vetmja mënyrë për të luftuar atë që e quan rikthim të diktaturës: “Ne do ta përmbysim diktaturën e bandave, të krimit dhe të drogës. Mosbindja civile është betimi ynë”.

Edi Rama nuk rrëzohet me fjalime, i tha pjesës tjetër të opozitës, duke e ftuar t’i bashkohet aksionit. Një thirrje kishte për çdo shqiptar, të angazhuar apo jo në politikë: “Çdo shqiptar duhet ta ndajë mendjen se kjo nuk është betejë politike, por një luftë për shpëtimin e kombit”.

Çfarë ra në sy ishte jo vetëm mungesa e paralajmëruar e deputetëve të grupit Bardhi, por edhe ajo e aleatëve historikë të Berishës.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos