Përplasje e ashpër në Kuvend, Noka i shkul mikrofonin Petro Koçit, përjashtohet nga seanca

Nga A2 CNN
30 Shtator 2024, 17:29 | Politikë

Seanca e parë plenare pas burgosjes së deputetit Ervin Salianji, ka nisur me tensione, pasi deputetët e Partisë Demokratike kanë djegur karriget e tyre.

Pasi i nxorën ato fillimisht jashtë dyerve të Kuvendit, ata i hodhën lëndë djegëse dhe i vendosën flakën.

Përveç tymit e flakës në ambientet e jashtme, klima e tensionuar ka mbizotëruar edhe në sallë, aq sa ka shkuar edhe në përplasje fizike mes Sekretarit të përgjithshëm të PD, Flamur Noka dhe deputetit socialist Petro Koçi, raporton A2.

Gjithçka ka nisur në momentin kur Koçi po fliste nga vendi. Noka ka nxituar drejt ulëses së deputetit socialist, duke shtyrë njërin prej gardistëve që tentoi ta ndalte dhe më pas ka shkulur me forcë e dhunë mikrofonin e Koçit, përcjell A2.

Pas kësaj ka pasur një përplasje të ashpër verbale dhe me duar mes të dyve, ndërsa në konflikt janë bërë pjesë edhe Bledion Nallbati e Lefter Gështenja, shkruan A2.

Pas incidentit me Koçin, kryeparlamentarja Elisa Spiropali u ka tërhequr vëmendjen deputetëve demokratë duke u kërkuar të mos pengojnë punimet e Kuvendit dhe ka njoftuar përjashtimin e Flamur Nokës nga seanca. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos