Drejtuesi i koalicionit “Nisma-Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, gjatë një takimi elektoral të zhvilluar mbrëmjen e sotme me qytetarët e Tiranës në zonën e Xhamllikut, ka kërkuar që me votën e tyre ta kthejnë 12 Majin në ditën e shpresës.
Lapaj e cilësoi 11 majin si një moment kyç për të ardhmen e vendit dhe paralajmëroi se 12 maji mund të kthehet në “ditën e ikjes së madhe”, nëse qytetarët nuk marrin një vendim të guximshëm për ndryshim. Ai theksoi se kjo përballje politike nuk është vetëm për mandate apo pushtet, por për fatin e një kombi që, sipas tij, është lodhur nga padrejtësia dhe abuzimi.
“Nëse më 11 maj e reja dështon përballë atyre që i kanë bërë çdo të keqe këtij vendi për 34 vjet, data 12 maj do të jetë dita kur nga ky vend do të nisë ikja e madhe”, u shpreh ai.
Gjatë fjalimit, Lapaj tha se përditshmëria e shqiptarit të thjeshtë është e karakterizuar nga frika, presioni dhe shantazhi që, sipas tij, ende ushtrohen mbi qytetarët. “Njerëzit thonë: kam frikë të flas se më prishin legalizimin. Kam frikë se më vendosin gjoba tek biznesi. Kam fëmijët në punë dhe kanë frikë për veten e tyre”, deklaroi Lapaj.
Ai bëri thirrje për kurajë dhe pjesëmarrje aktive në votime, duke theksuar se një mungesë reagimi nga qytetarët do t’i japë elitës së vjetër politike një mesazh të rrezikshëm “se mund të vazhdojnë të abuzojnë, sepse qytetarët nuk reagojnë.”
“Nëse ju i jepni sërish këtë mesazh, ata do t’ju vjedhin më shumë, do t’ju rrahin më shumë. Sepse do të thonë: ‘U çuan djem e vajza me shkollë e me emër, por ky popull i la në baltë.’ Dhe kjo nuk duhet të ndodhë më”, paralajmëroi Lapaj.
“Ju lutem, mos e ktheni datën 12 maj në ditën e zhgënjimit të madh. Kthejeni në ditën e shpresës së madhe”, nënvizoi Lapaj. (A2 Televizion)