11 mandate në Fier më 11 Maj. Ky është objektivi që i ka vendosur kampit socialist zv/kryeministrja Belinda Balluku, teksa ju drejtohej në një takim me të rinjtë e PS.
Balluku tha se me mandatin e katërt PS do të mbyllë njëherë e mirë tranzicionin për të hapur kapitullin e Shqipërisë Evropiane.
"Do e hapim kapitullin e Shqipërisë 2030 që ju përket juve dhe brezave europianë që do të vijnë. Tashmë ka ardhur koha jonë, pasi kemi kaluar një rrugëtim të gjatë e me sfida, me detyra për të mbushur, vetëm PS dhe Edi Rama mund ta çojnë Shqipërinë, një hap larg BE. Hedhin baltë edhe mbi ju, mbi të rinjtë e këtij vendi, që vendosi të bëhet pjesë e këtij rrugëtimi. Baltës i japim përgjigje më 11 maj duke votuar numrin 5. 11 mandate në qarkun e Fierit, një triumf historik”, tha Ballluku.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama i cilësoi historike këto zgjedhje dhe kërkoi angazhim maksimal nga radhët e selisë rozë në Fier.
“Këto zgjedhje, janë zgjedhjet më të rëndësishme prej shumë e shumë kohësh. Çdo zgjedhje ka një rëndësi të veçantë për mbarë vendin, nuk ka zgjedhje të parëndësishme. 11 maji është një takim me historinë, sepse më 11 maj, votuesit për herë të parë, me votën e tyre, për Shqipërinë në BE, për t’u bërë qytetarë të barabartë të Evropës. Në qarkun e Fierit, një vajzë dhe një djalë që vijnë nga radhët tuaja, nuk janë në listën e deputetëve, por janë dy deputetë të rinisë së qarkut e Fierit në Kuvendin e Shqipërisë”, u shpreh Rama. (A2 Televizion)