Sherri në zyrën elektorale te Ali Demi, reagon Partia Socialdemokrate

Nga A2 CNN
29 Prill 2025, 16:34 | Politikë

Sherri në zyrën elektorale te Ali Demi, reagon Partia Socialdemokrate

Partia Socialdemokrate ka mohuar çdo lidhje me ngjarjen e ndodhur mesditën e sotme në një nga zyrat e tyre elektorale, në zonën e Ali Demit, ku u gjetën edhe plumba nga policia pas një sherri të dhunshëm.

Përmes një postimi në Facebook, partia e drejtuar nga Tom Doshi, sqaron se “ngjarja e ndodhur këtë mesditë në rrugën “Ali Demi”, nuk ka asnjë lidhje me zyrën elektorale apo me aktivitetin e Partisë Socialdemokrate”.

Më tej PSD bën me dije se vendi ku ka ndodhur incidenti ndodhet pranë ambienteve të tyre, por nënvizon se “asnjë nga anëtarët apo simpatizantët nuk ka qenë i përfshirë në konfliktin në fjalë”.

Në fund nga PSD shprehen se ata dënojnë çdo akt dhune dhe presin që “organet kompetente të sqarojnë plotësisht rrethanat e ngjarjes”.

Sakaq, sipas burimeve të A2 CNN, mësohet se një i ri është konfliktuar me një tjetër person në mesditë në zonën e Ali Demit. Më pas ka shkuar në shtëpi dhe bashkë me të atin, Arjan Telhallari, tashmë në kërkim, kanë shkuar tek lokali në zonë për të gjetur të riun, djalin tjetër me të cilin ishte zënë, por nuk e kanë gjetur aty.

Burimet konfirmojnë për A2 CNN se pasi kanë kontrolluar zonën, at e bir të, protagonistë të konfliktit, kanë parë që personi që kërkonin ndodhej tek zyra e PSD, ku edhe ata kanë hyrë dhe janë përplasur fizikisht.

Telhallari sipas policisë ka qenë i armatosur dhe i kanë rënë fishekët e pa plasur në tokë gjatë sherrit, ndërsa arma nuk rezulton që është përdorur gjatë sherrit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos