Berisha nga Valencia: Koha e Ramës ka përfunduar, zëri i opozitës tani ushton fuqishëm në kancelaritë e BE dhe Uashington

Nga A2 CNN
29 Prill 2025, 19:23 | Politikë

Berisha nga Valencia: Koha e Ramës ka përfunduar, zëri i

"Koha e Edi Ramës ka përfunduar". Kështu deklaroi kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nga Valencia, ku po merr pjesë në Kongresin Elektoral të Partisë Popullore Europiane (PPE). Sipas kreut demokrat opozita shqiptare edhe pse është në një sulm frontal ka tashmë një zë të fuqishëm në kancelaritë më të rëndësishme të Europës dhe SHBA-së.

“Ajo kohë ka përfunduar. Tani zëri i opozitës ushton fuqishëm në të gjitha kancelaritë e mëdha të Europës, por në fakt dhe në Shtetet e Bashkuara. Të themi të vërtetën. Në kuptimin e asaj se sot opozita interesat dhe kauzat e saj, kanë për avokat, avokatin më të fuqishëm aktual të SHBA dhe kjo ka tmerruar Edi Ramën dhe vasalët, do të thosha, megafonët e tij, të cilët nuk dinë çfarë flasin për një kontratë, që synon jo vetëm mbështetjen e kauzave të sotme, por dhe të atyre të qeverisjes së PD dhe opozitës”.

Sipas Berishës fjalimi i tij para mbi 2000 zyrtarëve të lartë të qendrës së djathtë europiane shërbeu si një paraqitje e drejtpërdrejtë e realitetit të "narkoshtetit" shqiptar. Ai theksoi se mesazhet e tij u mbështetën nga liderë politikë europianë, përfshirë edhe kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis.

Berisha deklaroi se Partia Demokratike dhe forcat opozitare janë të gatshme të marrin drejtimin e vendit pas zgjedhjeve të 11 majit dhe të plotësojë kushtet për integrimin në BE.

“Opozita në qeveri pas 11 majit, do të jetë lokomotivë kryesore e integrimit të vendit për në BE. Dhashë garanci të plota se Partia Demokratike dhe forcat opozitare kanë qëllim kryesor të zëvendësojnë, narkoshtetin me shtetin e të drejtës, ekonominë e drogës me ekonominë e lirë të tregut dhe funksionale dhe të plotësojnë të gjitha kushtet, kriteret sociale të domosdoshme që Shqipëria të progresojë drejt BE-së”.

Ai theksoi rikthimin e plotë të PD-së në komunikim me PPE dhe me aleatë ndërkombëtarë, duke përmendur mbështetjen që partia ka marrë edhe nga qendra Ndërkombëtare Demokrate. Sipas tij, kjo mbështetje ka “tmerruar Edi Ramën dhe megafonët e tij”, ndërsa opozita është në një “sulm të plotë, total, frontal” për të mbrojtur votën e lirë dhe për të larguar regjimin aktual.

Berisha e cilësoi pjesëmarrjen në kongres si një moment kthese për opozitën, duke e quajtur “autopsi publike të narkoshtetit të Edi Ramës” dhe një hap të madh drejt rikthimit të PD-së në pushtet dhe në skenën ndërkombëtare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos