Raporti i OSBE-ODIHR/ PD: U damkosën zgjedhjet, alarm për abuzime dhe censurë

Nga A2 CNN
29 Prill 2025, 19:05 | Politikë

Raporti i OSBE-ODIHR/ PD: U damkosën zgjedhjet, alarm për abuzime dhe

Reagimi i parë pas publikimit të raportit të ndërmjetëm të OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 11 majit, ku ngrihej shqetësimi për keqpërdorimin e aseteve publike dhe presionit ndaj punonjësve të administratës, ka ardhur nga kampi blu.

Drejtuesi i Departamentit të Drejtësisë në PD, Franc Nuri, në një dalje për mediat nga selia blu tha se raporti i organizatës që vëzhgon zgjedhjet është alarmant dhe sipas tij i vlerëson si të papërshtatshme kushtet në të cilat do të mbahen zgjedhjet në Shqipëri.

Në këtë reagim, PD nënvizon “tërheqjen e veshit” nga ODHIR për problematika që janë derivate të “polarizimit ekstrem politik, të ardhur nga  një ‘Reformë zgjedhore e njëanshme dhe pa konsultim publik’”.

“OSBE thekson se shumica e sugjerimeve për përmirësim të procesit zgjedhor bërë nga kjo organizatë mbeten të pazbatuara. Në këtë logjikë vijojnë problemet e përhershme nën Edi Ramën si ‘keqpërdorimi i aseteve publike për qëllime elektorale dhe presioni ndaj punonjësve të administratës’. Raporti nuk rri pa përmendur edhe ata me të cilët kryeministri mburret, ‘rrjetet e patronazhistëve’ si formë ndikimi politik. Po ashtu shqetësues paraqitet përdorimi i të dhënave personale në mënyrë të paligjshme, të cilat raporti i quan ‘abuzime’.

Pa e përmendur me emër, por duke nënkuptuar qartësisht kryeministrin, raporti flet për ‘fushatë që karakterizohet nga sulme personale dhe mungesë diskutimi për politika publike’.  OSBE-ODHIR prek edhe një plagë të zgjedhjeve, që është mungesa e ndëshkueshmërisë për shkeljet dhe manipulimet zgjedhore, sic është provuar dhe nga dosjet 339 dhe 184.  Raporti thekson se KQZ ka identifikuar dhjetëra shkelje, por shumë pak masa ndëshkuese janë marrë. Prekja e zgjedhjeve, cenimi i vullnetit të qytetarëve do të marrë përgjigje të drejtpërdrejtë, të menjëhershme dhe të merituar. Larg duart nga zgjedhjet”, tha Franc Nuri në deklaratën për media. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos