Në konferencën për media nga ku zyrtarizuan koalicionin mes “Shqipëria bëhet” dhe “Nisma Thurje”, Adriatik Lapaj dhe Endri Shabani u shprehën se nuk do të ketë bashkëpunim pas zgjedhjeve me asnjë prej forcave të vjetra politike.
“Vendi do shkojë në zgjedhje të parakohshme. Ne nuk do të jemi patericë e asnjë pushteti të ardhshëm, vendi do shkojë në zgjedhje dinjitoze, nëse ajo do të varet nga ne. Qytetarët do vendosin nëse do të na mandatojnë si një opozitë, e vogël, e madhe apo forcë qeverisëse. Ne në fund të ditës nuk do të bëjmë koalicion me asnjë forcë aktuale”, iu përgjigj Lapaj pyetjes së gazetarit të A2 CNN, Anesti Bajramemaj.
Sa i përket ftesës që kreu i LZHK, Dashamir Shehi i bëri për t’iu bashkuar aleancës së tij me “Djathtas 1912” të Enkelejd Alibeaj, Lapaj tha se nuk mund të ketë bashkëpunim në bllok me ta, por vetëm me subjekte të veçanta.
“Ne gjykojmë se në këtë rrugëtim duhet të jenë ato subjekte që nuk kanë përgjegjësi me gjendjen e Shqipërisë deri më sot. Për këtë arsye nuk kemi kundërshti totale me të gjitha ato subjekte, pro kërkesa qe përpiluar tepër e gjerë dhe nuk mund të na çojë në atë drejtim. Nëse zoti Shehu apo dikush tjetër mund të gjykojë se mund të bashkëpunojmë, ne jemi të hapur për këtë, por jo në tërësi, jo si bllok por të hapur rast pas rasti si subjekt”, u shpreh Lapaj.
(A2 Televizion)