
Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë, Ermal Nufi, zhvilloi një vizitë zyrtare në Athinë, ku u prit nga homologu i tij grek, Nikos Dendias.
Në qendër të takimit ishte forcimi i bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Një nga temat kryesore të diskutimit ishte edhe siguria kibernetike. Nufi u shpreh se Shqipëria ka rritur qëndrueshmërinë kibernetike përmes bashkëpunimit me aleatët e NATO-s dhe partnerët strategjikë, duke shtuar se vendi është i gatshëm të forcojë më tej angazhimin në këtë fushë, si në nivel dypalësh ashtu edhe brenda strukturave të Aleancës.
Ndërkohë pas takimit, ministri grek Nikos Dendias bëri të ditur se gjatë bisedimeve prezantoi para homologut shqiptar programin "Axhenda 2030", i cili synon modernizimin e Forcave të Armatosura Greke.
"Në takimin me ministrin Ermal Nufi diskutuam forcimin e bashkëpunimit dypalësh në mbrojtje, si dhe çështje rajonale dhe ndërkombëtare të mbrojtjes dhe sigurisë.
E informova homologun tim për 'Axhendën 2030', programin e reformave për modernizimin e Forcave të Armatosura Greke.
Gjithashtu, shqyrtuam mundësitë e bashkëpunimit në fushën e sigurisë kibernetike", shkroi Dendias në platformën X.
(A2 Televizion)